Një ambasadore e nderuar dhe një morr që nuk po na shqitet…

0
178
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Fatos Tarifa

Përsëri ai, Saliu, foli sot ne kuvend. Dhe s’la gjë pa thënë për ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zonjën e nderuar Yuri Kim.

Ambasadorja Kim largohet këto ditë nga Shqipëria pasi i shërbeu interesave të vendit të saj në vendin tonë në të mirë edhe të interesave tona kombëtare.

Ajo ishte dhe do të mbahet mend gjatë si një diplomate shumë e zonja, që mundi ta shtyjë përpara angazhimin amerikan në të mirë të agjendës demokratizuese të Shqipërisë.

Yuri Kim do të mbahet mend si nje “zonjë e fortë”, që këmbënguli në realizimin e reformës më të rëndësishme e më të vështirë në vendin tonë në këto tri dekada dhe ia arriti me sukses ta verë këtë reformë, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, në pronësinë e shqiptarëve, duke na dhenë një mundësi reale për pastrimin e organeve të drejtësisë dhe të klasës politike tejet të korruptuar që ka drejtuar dhe drejton këtë vend.

Ambasadorja Kim arriti ta zhburrërojë edhe atë, burrin malësor të fuqishëm të politikës shqiptare, që na është bërë më shumë se tri dekada si ai morri që të ngjitet e s’të shqitet. I tregoi vendin. E bëri të padëshiruar për qeverinë dhe vendin e saj. Ia rrënoi në themel fuqinë dhe autoritetin, e zvogëloi në të gjitha përmasat e tij. E bëri një hiç, apo thjesht një njeri që sot pak njerëz këtu, dhe thuajse askush përtej kufijve tanë, nuk e merr më seriozisht.

Dhe ai, Saliu, si një parazit që i është qepur këtij populli dhe s’po dëgjon t’i hiqet qafe, vazhdon e flet.

Flet ngado. Flet në çdo tubim me disa dhjetra a qindra njerëz. Flet në çdo mledhje me 10 a njëzet deputetë dhe me 5 a 10 gazetarë. Flet në ndonjë studio televizive. Fliste në facebook dhe tani flet në podcast. Edhe ai si Edi Rama.

Flet, flet, flet. Dhe gjithnjë shan e fyen. Më shumë nga të gjithë shan e fyen “guvernatoren” Kim, e cila i ka kallur datën Saliut, por nuk është marrë asnjëherë me të. Sepse ambasadorja e Shteteve të bashkuara ka dhe ruan dinjitetin e qeverisë dhe të Republikës së saj dhe nuk merret me një person të padëshiruar, me një politikan të korruptuar dhe armik të demokracisë. Këto të gjitha administrata amerikane ia tha Sali Berishës me tri fjalë: persona non grata.

Deri pak kohë më parë mendoja se mediat tona dhe gazetarët që punojnë në to duhet të na i kursejnë kohën duke mos u marrë më me këtë morr të politikës shqiptare, duke e injoruar tërësisht, pa u kushtuar kurrfarë rëndësie takimeve që bën dhe fjalëve që thotë.

Pasi pjesa më e madhe e atyre çfarë Saliu thotë janë Gënjeshtra me G të madhe, shpifje me Sh të madhe, Pallavra me P të madhe dhe MARRËZI (të gjitha me të mëdha).

Të tilla, MARRËZI, ishin gjithçka që Berisha tha sot në kuvend për ambasadoren Kim dhe rolin e saj “guvernatorial” në Shqipëri.

I gjori Sali! Haliçunant, siç kemi 30 vite që e njohim, ai s’mund të ishte ndryshe edhe këtë herë, kur shqiptarët miqësisht e dashamirësish i thonë lamtumirë mikes së tyre, ambasadores së nderuar të Shteteve të Bashkuara në vendin e tyre.

Berisha, ky Humbës i Madh, një ditë do të harrohet nga brezat e rinj të shqiptarëve, por do të mbahet mend për keq për rolin e tij në historinë e vendit të tyre pas përmbysjes së diktaturës së proletariatit.

Dhe, meqenëse e përmenda atë diktaturë, dua të përsëris këtu atë që kam thënë e them për 30 vite me radhë, se atë diktaturë NUK e përmbysi Sali Berisha. Përkundrazi, Berisha i mbajti gjallë frymën dhe metodat bolshevike të asaj diktature në një kohë të re dhe në një sistem që ai vetë nuk e bëri–dhe që as sot nuk është–një sistem demokratik i konsoliduar.

Por, ndoshta, nuk është diçka tërësisht e keqe ta shohim e ta dëgjojmë Saliun nga koha në kohë. Tashmë ai është shndërruar në një subjekt argëtues. Ne qeshim me të, me gjithçka që ai thotë, me gjithçka imagjinon mendja e tij e sëmurë, siç qeshim edhe me të gjithë ata që i rrijnë pranë, anash, para ose mbrapa, që e shoqërojnë ngado që vete, e mbajne për krahu se mos lëkundet e bie–atë burrin malësor që Amerika mike e zhburrëroi.

Duke e parë e dëgjuar Berishën thuajse çdo ditë, jo vetëm dëshmohet se çdokush te ne gëzon të drejtën e fjalës së lirë, edhe kur është i padëshiruar për aleaten tonë madhe– Amerikën–por edhe i bëhet karshillëk e konkurrencë ndonje reality show si Big Brother apo tjetër.

Jam kurioz të di se cili ka më shumë ndjekës sot, Luiz Ejlli apo Sali Berisha?

Ndërsa Saliun, si morr do e kemi mes nesh edhe për ca kohë, ambasadorja Kim largohet këto nga kryeqyteti ynë. Fatmirësisht, pozicioni i ri në të cilin ajo është emëruar si zëvendës-ndihmëse e sekretarit amerikan të Shtetit do e mbajë atë vazhdimisht të interesuar e të informuar më së miri për Shqipërinë.

I uroj suksese në këtë detyrë të re shumë të rëndësishme!

Zjarr Tv Ad