Kiko u shpjegon turistëve serb pse u mbyll Ballkani Hapur

0
152
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Lutfi Dervishi

Pasi mori disa banane dhuratë nga një grup turistësh serb në Ksamil, Kiko e ndjeu veten borxhli dhe në këmbim nisi t’u shpjegonte arsyet se pse Shqipëria mbylli kapitullin e Ballkanit të Hapur.

U mbyll se ishte ndërtim pa leje- tha Kiko, i pa regjistruar në gjykatë, ushtronte aktivitet pa licensë, nuk paguante taksa, nuk kishte asnjë adresë në internet dhe në rrjete sociale. Pra aktivitet i dyshimtë. Si mund të ekzitojë një projekt kaq i madh pa prani në Instagram, e tik tok? Le që nuk kishte kokërr leku. Vetëm fjalë…

Ju serbët e keni të lehtë- vijoi Kiko, shqiptarët e kanë më të vështirë se fjala hapje dhe mbyllje janë krejt të ndryshme ndërsa në serbisht otvoren, zatvoren vetëm një gërmë ndryshon.

Për mua personalisht – vijoi Kiko- Ballkani i Hapur ka qenë dështim total. Nuk arriti të ulë çmimin e bananes.

Këto jane arsye teknike- i tha një prej turistëve serbë. Në Ballkan gjërat janë politike.

Politike dhe estetike – ja ktheu rrufe Kiko. Mua si majmun nuk më lejohet të bëj gabimin e njerëzve që e vendosin politikën në plan të parë. Kjo e ka marrë në qafë Ballkanin.

Për mua problemi ishte dhe mbetet estetik. Kryeministri i Maqedonisë ishte shumë më i shkurtër se Rama e Vuçiq. Siç ka thënë me të drejtë Rama: “estetika është shprehje sipërore e politikës”

Politikisht, ju lutem shumë mos më ngatërroni – tha Kiko, se kam ndërmend të kërkoj dokumentat për qëndrim të përhershëm në Shqipëri.

Po, mirë, SHBA, BE dhe KE ishin pro “Ballkanit të Hapur”. Pse Shqipëria tani del kundër të gjithëve- pyeti një turiste serbe që po bënte selfi me iphone 13 +

Pro Ballkanit të Hapur ka qenë edhe Rusia- u përgjigj Kiko. SHBA, BE, KE janë fuqi beninje, por Rusia është fuqi malinje. Ne nuk duam që Rusia të dalë si një fuqi konstruktive, aq më tepër pas luftës në Ukrainë. Këto gjëra janë më thella seç duken.

-Po si ndodhi që tre vendet u prishën me njëra-tjetrën- vijoi interesimin e tij turisti serb.

Këtu mund vetëm të spekulloj – tha Kiko. është çështje interesash. Ballkani Hapur nënkupton treg të përbashkët. Në BE- sherri më i madh është për kuotat e prodhimit në tregun e përbashkët. Serbia nuk pranoi të legalizonte kultivimin e kanabisit, siç ka bërë Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Dmth për mungesë të politikës së përbashkët bujqësore.

Po ju këtë vjet bëtë një konsultim kombëtar dhe një 60% e shqiptarëve e mbështetën Ballkanin e Hapur?

Dje ishte dje. Sot është sot- tha Kiko. Pastaj jo gjithmonë shumica ka të drejtë.

Po ju keni ftuar edhe Greqinë, Italinë dhe Turqinë për t’u futur në Ballkanin Hapur?

E drejtë- u përgjigj Kiko, por nuk shkon që ne të ndërhyjmë në punët e Brukselit. Po sikur edhe vendet e tjera të BE-së të kërkojnë anëtarësim në Ballkanin e Hapur?

A ka ndonjë shans që të rikthehet Ballkani Hapur?

Të paktën për katër vitet e ardshme as që bëhet fjalë- vijoi Kiko, dhe kjo është çështje teknike. Presidenti serb ka deklaruar në Ohër se ka dhimbje dore dhe nuk firmos asnjë dokument. Dhe duke i besuar atij, kjo dhimbje do t’i vazhdojë të paktën edhe për katër vitet e ardhshme.

Po historia, historia si do ta gjykojë “Ballkanin e Hapur”?- pyete turistja serbe ndërkohë që u afrua për të bërë selfi me Kikon.

Ballkani Hapur ishte projekt oral. Nuk ka asnjë dokument të shkruar për të, kështu që pa merak se historia nuk do të merret fare me të. Madje, madje megjithëse është projekt oral, as SPAK nuk do t’i kushtojë vëmendje draga gospoxha (e dashur zonjë)!

Zjarr Tv Ad