Ahmetaj ka qenë kudhër për Ramën dhe çekan për vartësit

0
105
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Hysni Gurra

E nisa me një përkufizim marksist shkrimin meqenëse hajdutët e aferës më të madhe korruptive në Shqipëri, e njohur ndryshe si afera e incenerarorëve, pretendojnë se janë të majtë.

Marksi ka bërë një përkufizim gati shkencorë për servilin si fenomen: ‘Servili është kudhër për ata lart dhe çekan për ata poshtë’, – thotë ai.

Çdo ministër e vartës i Edi Ramës është kudhër, kjo s’ka asnjë diskutim.

Çekani i korrupsionit, çekani i bashkëpunimit me bandat dhe krimin e organizuar, çekani ku lidhen fijet e kapjes së sistemit të drejtësisë, çekani i intrigave, marifeteve, çekani që shtyp lirinë e votës, inskenon vjedhjen e tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve është Edi Rama.

Para disa kohësh ish-superministri dhe zëvendëskryeministri i tij, Arben Ahmetaj e ka provuar publikisht këtë gjë kur pohoi se, unë nuk kam asnjë mundësi të nënshkruaj brenda ditës 17 vendime qeverie për inceneratorët.

Pra, superministri tregoi se ka qenë nën një trysni të jashtëzakonshme për firmosjen e këtyre vendimeve, sikur çekani godet kudhrën.

Kush mund t’i bëjë presion një superministri? Kolegët? Biznesmenët? Sekretarët e kryeministrisë? Kush ka takat t’i bëjë presion ministrit në këtë Republikë?

Atë takat e ka vetëm një person, dhe ai quhet Edi Rama.

Së fundi, shprehjen e Marksit dhe veprimet e Ramës i vërteton një ish-vartëse e Arben Ahmetajt.

Në dosjen hetimore të SPAK pretendohet se Arben Ahmetaj ushtronte presion mbi një punonjëse të administratës për të miratuar kontratën koncesionare të një landfilli në Durrës, në kohën kur ka ushtruar funksionin e ministrit.

Punonjësja ka treguar se ka shkuar te zyra e ministrit Arben Ahmetaj, në paradhomë, ku sekretarja i ka kërkuar të linte telefonin aty, dhe më pas është futur në zyrën ku ndodhej ministri Arben Ahmetaj, e shoqëruar nga këshilltari.

Ajo ka deklaruar në Prokurorinë e Posaçme se Ahmetaj i ka kërkuar që, në lidhje me procedurën e Durrësit, ta shikonte dhe ta vlerësonte me pozitivitet, në drejtim të përfundimit me sukses të saj.

Pra Ahmetaj në këtë mes ka shërbyer si kudhër për Edi Ramën dhe si çekan për vartësit. Sa proporcionale ka qenë goditja nga Rama te vartësja e Ahmetajt të gjithë e marrin me mend këtë.

Ahmetaj sot është përballë një sfide të madhe dhe detyre të cilën e ka nisur disi duke pohuar pafuqinë e tij për të kryer i vetëm një aferë të madhe sa ajo e inceneratorëve.

Ajo që mbetet për t’u parë është qëndrimi i tanishëm. A do rrijë Arben Ahmetaj të shërbejë akoma si zhguall që mbulon presionin mafioz që ka patur nga Edi Rama për të kryer aferat korruptive apo do tregohet së paku në lartësinë e vartëses së tij, e cila ka treguar me emër se nga i ka ardhur presioni për të kryer shkeljen e ligjit.

Çekani i së keqes në këtë vend është Edi Rama. Arben Ahmetaj me shokë janë kudhra që kanë transmetuar goditje dhe kanë heshtur në këmbim të pasurimit personal. Se ç’do bëjë Ahmetaj kjo do mbetet për t’u parë, por shqiptarët duhet ta kenë të qartë se kush është çekani dhe kush është kudhra. Ndoshta e kanë lexuar në veprat e shokut Enver (kur ua jepnin me detyrim) shprehjen e Marksit, po se e rikujtojnë nuk bëjnë keq. Paralelizmi është absolutisht i njëjtë.

Se edhe Enveri i interpretonte veprat e Marksit si të donte, ai ishte çekani, dhe pastaj thoshte e kanë bërë këta me kokën e tyre, fiks si Edi Rama që thotë, kush ha dardha pas shpinës time.

Zjarr Tv Ad