Deputeti i Partisë Demokratike, Sajmir Koreshi deklaroi se maxhoranca teksa shtynte miratimin e kërkesës për arrestimin e Arben Ahmetajt, miratoi me urgjencë projektligjin për legalizimin e kanabisit.
Sipas tij deputetët socialistë të komisionit të Ligjeve u mblodhën në një nga zyrat e Kuvendit që ai e quajti WC dhe pa asnjë kamera dhe procesverbal miratuan draftin e ardhur nga qeveria.
“Jemi pjesërisht të kënaqur, por kërkesa jonë për kërkesën duhet të hidhej në votim. Ka pasur raste të tjera kur është votuar me ngritje dore. Shqiptarët këtë ditë po presin. Ka turp më të madh kur janë vjedhur 430 milionë euro dhe është arratisur ish-zv.kryeministri i Shqipërisë. Kryetarja e Kuvendit ka detyrim ligjor të thërrasë kryeministrin kur deputetët e kërkojnë, ai rri në Dhërmi dhe bën statuse për sherrin në Kosovë. Ne prisnim sot që të ishte kryeministri, të futej kërkesa në rend dite dhe të votohej. Ne raportin e kemi paraqitur që dje. A e dini ju që sot ka kaluar ligji për kanabisin në kundërshtim me ligjin? O burra këto ditë të nxehta të rrisim kanabisin. U futën deputetët në një WC të Parlamentit, pa kamera, pa procesverbal dhe bënë mbledhjen e Komisionit.
Për këto paska shpejtësi, për këtë tjetrën të Ahmetajt, duhet të presim 4-5 ditë. Kalojmë dhe fundjavën me diell dhe pastaj mblidheshim. Rama duhet të kishte ardhur dhe të kërkonte falje para shqiptarëve se e kishte nxjerrë Ahmetajn si trurin e qeverisë së tij. Avokatët morën kohë për t’i ardhur në ndihmë Ahmetajt, kushedi çfarë mendje ka ai. Ata thanë që ai nuk ka lidhje me këtë aferë, ndërkohë që aty ka mijëra gjëra. Avokatët e Ahmetajt trumbetonin se me këtë lloj gjykate të posaçme ai nuk mund të vijë se ne nuk kemi besim e ajo gjykatë. Ndërkohë që deri dje flisnin për super reformë në Drejtësi. Një zv.kryeministër që ka trumbetuar gjatë gjithë kohës pseudoreformën, tani del dhe thotë që nuk ka besim te këta gjyqtarë. Ai duhet të ishte dinjitoz dhe të linte mandatin. Përgjegjësia për arratisjen e tij mbetet jetime. SPAK nuk ka mundësi ta arrestojë.”, tha ai.