Rama do të largohet, por rithemelimi duhet të shkojë deri në fund

0
105
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Akil Kraja

Rama, lindor apo perëndimor?

Boris Johnson fitoi zgjedhjet legjislative në dhjetor të 2019 me një shumicë rekord e cila nuk ishte arritur që prej vitit 1987 dhe epokës triumfale të Margaret Thatçer.

Por dhe pse me një fitore të tillë elektorale, dhe pse mandati duhej t’i mbaronte në 2024, në korrikun e vitit të shkuar Johnson dha dorëheqje. Arsyeja kishte të bënte me një seri skandalesh jo-korrupsioni, por etike – ndër të tjera organizimi i festave të fshehta gjatë pandemisë Covid19 – në të cilat ishte përfshirë ai dhe disa anëtarë të kabinetit të tij.

Johnson, pas dorëheqjes si kryeministër, dha dorëheqjen dhe si deputet në qershorin e këtij viti. A janë të krahasueshme skandalet e Johnson me ato të Ramës?

Një festë pa maska, me sterilizimin qindra miliona eurosh? Një skandal ngacmimi seksual, me tre inceneratorë fantazëm? Një hetim etik nga një komision parlamentar, me shkelje të ligjit në miliarda euro?

Si përfundim, Rama një kryeministër perëndimor si Johnson, apo një autokrat lindor si Putin? Mbase asnjëra.

2-Rama, latino?

Fati i Kryeministrit Rama mund t’i ngjajë atij të Noriegës. Një figurë emblematike e politikës panameze i cili pas një bashkëpunimi disa vjeçar me trafikantë të drogave të forta, ashtu si dhe me SHBA-të, përfundoi burgjeve pas një ndërhyrje ushtarake nga vetë SHBA-të.

Por Noriega është i një kohe tjetër ndaj t’i rikthehemi aktualitetit të para pak ditëve. Presideti i Ekuadorit, Guillermo Lasso, pasi u përfshi në një seri skandalesh ku spikati ai i lidhjeve me narko-trafikantë shqiptarë, u detyrua të shpallte zgjedhje të parakohshme të cilat u mbajtën me 20 gusht. Ai deklaroi publikisht që nuk do të ri-paraqitej. Sipas qëndrimit zyrtar, me qëllim mos dëmtimin e forcës së tij politike. Një variant më informal flet për presione ndërkombëtare e frikë nga një hetim penal.

A janë të krahasueshme skandalet e Lasso me ato të Ramës? Lidhje sipërmarrëse me trafikantë, rritje eksponenciale e trafiqeve dhe e vrasjeve kriminale, kosto jetese të papërballueshme dhe reforma jo-transparente që mbështesin investitorë strategjikë – lajmet për Ekuadorin apo Amerikën latine, duket sikur shkruhen mbi Shqipërinë e sotme. Një turbo-politikë-kriminale, me barcaleta bajate e batuta populiste, me shumë teori komploti dhe po kaq manipulime elektorale. Ndaj si andej, si këndej, si dje, si sot, si Noriega apo Lasso, si Tahiri apo Rama, një politikan që bashkëpunon me krimin e organizuar herët a vonë ka të njëjtin fund.

3-Shqipëria, shkëmb graniti buzë Adriatikut?

Përveç opozitës, rënia e presidentit Lasso në fakt, ashtu si dhe ajo e konservatorit Johnson u nxitën edhe nga faktorë të tretë. Në të parin, ishin grevat dhe protestat non-stop të organizuara nga shtresat më vulnerabël në Ekuador. Në të dytin, ishin revoltat brenda partisë konservatore ku spikati dorëheqja në grup e mbi 50 zyrtarëve të lartë, përfshirë kryeministrit aktual Sunak, asokohe ministër financash. Mjerisht, në Shqipëri, qytetarët duket sikur po protestojnë nëpërmjet largimit të tyre, teksa mbi 800.000 zgjodhën emigrimin që prej ardhjes në pushtet të Ramës. Nga ana tjetër, tjetërsimi i PS-së në një grupim politik ku u votua me referendum që të mos ketë më zgjedhje, e ka kthyer këtë forcë në një kapanon ushtarësh të bindur ndaj emërimeve arbitrare të Kryetarit ku disidenca më e madhe mund të përmblidhet në shprehjen e ndonjë pakënaqësie të vetë-përmbajtur ndaj mos marrjes të ndonjë tenderi abuziv, e jo më në kundërshtimin e derivës kriminalo-korruptive të qeverisjes. Pra kemi një popull të zhgënjyer dhe një pushtet tërësisht të kapur. Vendi ynë, sërisht një përjashtim?

4-Rithemelim deri në fund.

Në Shqipërinë e sotme, idealizmi demokratik dhe ambicia patriotike, morali qytetar dhe etika qeverisëse, janë togfjalësh pa përmbajtje dhe me gjasa të patretshëm në mendjen e një opinioni publik të shpëlarë nga skandalet dhe rokadat e shumta politike të dy viteve të fundit. Ndër këto ngjarje, disa janë dhe tragjedi në kufijtë e politikës me epike që mund të pranojë imagjinata e njeriut. Që nga korruptimi i McGonigal, e deri tek pengmarrja e vulës, populli opozitar është thellësisht mosbesues ndaj klasës politike, si majtas, ashtu dhe djathtas.

Ndërkohë zona gri i sheh gabimisht të gjithë njësoj dhe ende nga xhamat e dritareve të zeza të pushtetit të shkuar. Nga ku nevoja jetike, e paevitueshme, që rithemelimi i Partisë Demokratike të shkojë deri në fund.

Rithemelim do të thotë të jesh një alternative, jo zëvendësues. Do të thotë ndryshim, jo vijueshmëri. Do të thotë misionar, jo kolltukofag.

500.000 votat e 14 majit janë dëshmia më e plotë se rithemelimi është rruga e drejtë e ndryshimit, e fitores, e kthimit të shpresës. Rama është i larguar, pyetja është kush do të marrë autorësinë e këtij largimi të paevitueshëm.

Populli opozitar në rrugë? Nr.2 brënda partisë së tij? Apo drejtësia? Nëse i hedhim sytë nga Amerika Latine sërisht, prokurori që arrestoi kryeministrin e majtë Lula më 2018 u bë Ministër i Drejtësisë në qeverinë që e pasoi. Mbase, dhe ne do të kemi një hero shqiptar si ai.

Zjarr Tv Ad