Gazetari dhe analisti, Lorenc Vangjeli, i ftuar në Top Story tha se policia e Kosovës tregoi se ka burra të fortë dhe se politikanët duhet të krihen si Albin Kurti.
“Në këto 48 orët e fundit kanë ndryshuar të gjithë shqiptarët, në Prishtinë e në Tiranë. Kanë ndryshuar kryesisht politikat. Bindja jonë se në këtë përplasje qindra vjeçare me Serbinë ne kemi të drejtë, u shoqërua nga ajo e cila na ka munguar herë pas here, kësaj here jemi më të fortë dhe më të aftë të mbrojmë të drejtën. Nga momenti që ata burrat e fortë me uniformë ata të policisë së Kosovës arritën të bëjnë atë gjë, pra arritën të provojnë forcë, sot jemi më ndryshe”, tha Vangjeli.
“Në këto 48 orë, kryesisht në Kosovë, pa përjashtuar edhe Tiranën, të gjithë duhet të veshin xhaketën e Kurtit, madje madje duhet të krihen edhe si Albini. Pa përjashtuar këtu pozitë dhe opozitë, pa përjashtuar këtu Ramën dhe Berishën“, u shpreh analisti.
“Nëse deri në mesnatën e të dielës ka pasur një mori kritikash që Kurti i meritonte, sjellje të cilat mund të ishin ndryshe, sot diferenca në nuanca e në gjithçka tjetër. Askush nga ne që flasim shqip, nuk kemi diferencë në arritjen e rezultatit final, që është njohja përfundimtare e republikës së Kosovës”, tha Vangjeli.
Vangjeli i bëri thirrje Kurtit që nga sot të heqë xhaketën e folkloristit dhe të vishet si politikan serioz.
“Kurti dhe meritave apo dobësive të tij, iu dha shërbimi më i madh. Ishte vërtetim që zoti e do Shqipërinë, edhe kur dalim nga udha e Zotit, edhe atëherë kur i bëjmë njëri tjetrit atë që nuk na e bën as armiku”, tha ai.