Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24 ka komentuar protestat e vitit 2019 kur ai ishte ende në detyrë dhe pas të cilave dha edhe dorëheqjen.
Lleshaj u shpreh se ai nuk ka dhënë leje për përdorimin e gazit lotsjellës, pasi atë e parashikon ligji si një mjet për policinë në raste të tilla.
Ai shtoi se asokohe cilëoshej si “Sandër kimiku”, por u shpreh se kjo ishte më mirë se të thirrej “Sandër balistiku”.
Ish-ministri tha më tej se personat që drejtonin gishtin ndaj tij kanë hapur zjarr dhe kanë përdorur plumba kundër protestuesve duke vrarë njerëz të pafajshëm “në zemër të Tiranës”.
“Nëse duam të kuptojmë opozitën sot duhet të shohim vitin 2019, pasi atëherë filloi shkërmoqja. Aty opozita u përfshi në një dhunë të paprecedentë ndaj institucioneve. U bë një protestë ku nuk funksionoi ajo që synonin. Të nesërmen dolën nga parlamenti dhe më pas tentuan të futen më dhunë aty. Shkatërrimi i tyre është një gjë pozitive për mendimin tim. Është shkatërruar një mentalitet dhune dhe revolucioni. Është shkërmoqur edhe si opsion për marrjen e pushtetit. Kjo retorikë mbaroi në vitin 2019.
Një opsion politik si dhuna rezultoi i pamundur dhe i padobishëm. Nuk mund të luhet më me institucionet, apo faktorin ndërkombëtar. Vendi ka nevojë të krijojë alternativa të reja pa rrënjë të thella në histori.
Për gazin lotsjellës nuk kam dhënë leje pasi atë e jep ligji. Ligji i thotë policisë që ka këto mjete në dispozicion. Në këtë kuptim, ato protesta me molotovë, lëndë piroteknike nuk mund të përballoheshin nga policia pa mjetet si uji dhe gazi. Aty është përdorur kimia. Më thoshin kimiku, e kështu me radhë, dhe u thosha është më mirë të jesh Sandër kimiku se balistiku.
Ata që drejtonin gishtin ndaj meje harronin që më parë përdornin plumba në zemër të Tiranës dhe vranë njerëz të pafajshëm. Nuk kishin turp asokohe dhe s’kanë turp as sot se kanë lënë fëmijë jetimë dhe gra të veja”, u shpreh ai ndër të tjera.