Pas videove të publikuara disa ditë më parë ku studentët po haseshin me parreullsi gjatë shpërndarjes së dhomave të konvitit, një tjetër video skandaloze është regjistruar ditën e sotme. Kësaj here me studentët e vitit të parë të Mjekësisë, të cilët për herë të parë do të ulen në auditore dhe do duhet të pajisen me bluzën e bardhë.
Mirëpo, njëjtë si dhomat e konviktit edhe bluzat e bardha janë shpërndarë “kush e kap i pari”. Ashtu si dhe shihet nga videot e publikuara nga vetë studentët, bluzat e bardha u janë dhënë këtyre të fundit nga larg, nga administratori i magazinës.
Këto pamje kanë ngjallur jo pak reagime në rrjetet sociale ku shumë prej komentuesve i kanë cilësuar si skandaloze këto pamje, duke u shprehur më tej se është një “tallje” që po bëhet me ta.
Ndërkohë, kujtojmë se ditën e sotme studentët e Mjekësisë e nisën këtë vit të ri akademik 2023-2024 me protesta. E teksa me mijëra studentë u futën në auditore, qindra të tjerë protestuan jashtë Fakultetit të Mjekësisë duke bërë thirrje që të anulohet ligji i ri i miratuar në korrik për Mjekësinë.
Ata u shprehën se ligji i ri prek të Drejtat e Njeriut dhe se nuk e gjykojnë të drejtë që të nënshkruajnë një marrëveshje në nisje të vitit akademik që i detyron të qëndrojnë në Shqipëri për 5 vite, teksa u shprehën të hapur për një tryezë diskutimi.
VIDEO më poshtë:
https://zebra.cdnja.co/v/2l/2LQdz.mp4?token=f8o_RpNjHlsyTl2F1I1pQg&expires=1696264236