Të gjitha ironitë e historisë ranë sot mbi Edi Ramën

0
21
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Alfred Lela

Edi Rama e ka marrë kredon e politikës së jashtme të Republikës së Shqipërisë “zero probleme me fqinjët” dhe e ka përmbysur, në mënyrën e tij, ku bashkohen transgresioni dhe iluzioni. Në njëfarë mënyre, z. Rama projektoi një politikë të jashtme të “zero probleme me armiqtë”, ilustrimin e së cilës na e shërben raporti i çuditshëm i tij me Aleksandër Vuçiç.

Në politikën e jashtme të Ramës shkëlqejnë raportet ekskluzive me Turqinë dhe Serbinë: të parën e ka shpallur aleate strategjike, dhe me të dytën ka ngjizur një përpjekje që anashkalon, jo vetëm historinë e vështirë mes dy kombeve, statusin e Vuçiç si ish-ministër i Milosheviqit, por edhe Republikën e Kosovës, shtetin e ri, populluar në shumicë me shqiptarë dhe me kujtime të përgjakshme shkaktuar nga serbët.

Në një sprovë që ai e shihte të ngjashme me projektin franko-gjerman, paqe pas kasaphanës së fundviteve ’90, Edi Rama ideoi “Ballkanin e hapur”, emri i të cilit vezullonte “Shoqërinë e hapur” të sponsorit të tij George Soros.

Qeveria dhe populli i Kosovës nuk ia pranuan as “Ballkanin e hapur” dhe as idenë se me serbët mund të bëhet paqe sikur ata të ishin gjermanë. Kosovarëve nuk u duhet një përkthyes për ‘serbishten’ e luftërave të gjata, edhe kur ky vjen i shuguruar si ndërmjetës nga Shqipëria amë. Ata e dinë se, serbët, mitet më të forta i kanë të bazuara mbi humbjet dhe jo fitoret, dhe pikërisht në Fushë-Kosovën e 1389-ës një mitologji e tillë ka rrënjë të përgjakshme dhe inatçore.

Duke mos qenë njeri i traditës, Edi Rama nuk e kuptonte, siç bënë kosovarët, se historia mund të zbukurohet, por ajo nuk ndreqet. Me ketë keqkuptim, kryeministri nga Tirana i afrohej çështjes, si shoferët shqiptarë i qasen një rrethrrotullimi: futen në të duke shpërfillur ata që janë ndërkohë brenda. Në një rrethrrotullim shqiptar ia del herët a vonë, por rotonda e historisë ka nënvetëdije shtresore. Sidomos në Ballkan.

Përpjekja e Edi Ramës për të prodhuar me AI (inteligjencë artificiale) një paqe e cila nuk njihte luftrat e së shkuarës, dështoi me zhurmë një mbrëmje vjeshte në Banjskë të Kosovës veriore. Ideja e “Ballkanit të hapur” u vra më 24 shtator bashkë me Afrim Bunjakun, por plasaritjet mbi lëvozhgën e saj kishin nisur muaj më parë pas përleshjeve brutale në Mitrovicë mes serbëve dhe forcave të KFOR-it.

Prej vitesh kryeministri shqiptar ngiste me ojna-bojna në rotondën rajonale Pink Cadillac-un e “Ballkanit të hapur”. Deri kur proxy-t e regjimit të Vuçiç ia behën me Yugo-n karakatinë dhe armatimet e së shkuarës (që nuk vdes kurrë).

Në Tiranë, më 16 tetor, për ironi mu ditën e lindjes së Enver Hoxhës – edhe ai jo aq i huaj për jugosllavizmin dhe Federatën – në mauzoleun e ngritur për të, Edi Rama, për të cituar Sali Berishën, varrosi “Ballkanin e hapur”.

Arkëmorti i kësaj foshnjeje historike, që Ramës i dështoi në duar, duhet t’i ketë dhënë një mësim kryeministrit. Këng-e-vallja e organizuar sot, për ta kthyer varrimin në spektakël, shkakton trullosjen e vet, por nuk e shmang atë që shkëlqen më fort: Edi Rama bën një politikë të jashtme që ka në qendër Edi Ramën, jo Shqipërinë dhe shqiptarët.

Zjarr Tv Ad