NGA AGRON GJEKMARKAJ
Shqipëria nuk është në gjendje të jashtëzakonshme, as në pandemi, ndaj tempulli i parlamentarizmit, Kuvendi i saj nuk duhet të denatyrohet. Mazhoranca po i fshihet ballafaqimit me opozitën. Ajo nuk investohet asnjë ditë në forcimin e institucioneve, por në defunksionalizimin e opozitës. Institucionet na mbrojnë të gjithëve, jo partitë, jo militantizmi. Personalisht e kam me prova të shumta mos rreshtim që bie ndesh me bindjet e mia pa pretenduar monopolin e së vërtetës.
Prishja e tyre (institucioneve) është atentat ndaj Shqipërisë në NATO, aleancës me SHBA dhe aspiratës së saj europiane. Socialistet e zyrave me një arrogancë që duket si marrje kompetencash nga Zoti, si përvetësim i se drejtës, së mirës dhe së bukurës po sillen si gjykatësit dhe “edukatoret” tanë.
Gjithmonë kam pasur nderim për parlamentin përtej cilësisë së debatit apo prurjeve në të, përtej forcave politike që e kanë dominuar. Gjithmonë kam qenë kritik kur është dhunuar opozita, e cila kishte emrin PS, brenda e jashtë sallës plenare, me shpresën që do e linim pas një ditë këtë lëngatë shqiptare a ballkanike. Iluzion i ngratë ky. Me të gjitha defektet e tij, defekte tradite dhe të kulturës sonë politike e kam parë atë si garant sovran të thelbit të Republikës.
Nuk e kisha menduar kurrë që për të marrë pjesë në një mbledhje institucionale, unë, zëvendëskryetari i Kuvendit, të shtyhesha dhe të kaloja nën sqetulla gardistësh të gjatë si fëmijët në një pyll ferrash. Ne kërkojmë që Kushtetutës t’i hapet dera dhe ajo të rikthehet mes nesh. Ne kërkojmë të drejtën e përfaqësimit legjitim në Reformën Zgjedhore, të drejtën e ngritjes së tri komisioneve hetimore me firmat e 45 deputetëve dhe mosndërhyrjen e kundërshtarëve tanë politikë në çështjet e grupit parlamentar të PD.
Çfarë marrim si përgjigje, zhdukjen e debatit, kthimin e mbledhjeve ‘online’. Ne jemi në parti të ndryshme, fakt ky që na bën të njëanshëm në qëndrime politike, por nuk duhet të jemi të tillë me Republikën, shtetin, institucionet, Kushtetutën. Qeveria nuk mund të ndërsejë Gardën ndaj opozitës, e cila sot është në këmbë, në qëndresë, në protestë. Protesta në vendet demokratike nuk shuhet më dhunë, ajo vendos standardin e negocimit, të reflektimit, të zgjidhjes së problemeve që shtron. I kërkoj Edi Ramës t’u rrijë deklaratave të tij në vendet perëndimore, këtë nuk ia njoh vetes për dobësi.
Nuk mund të ketë dy Shqipëri: një në fjalimet e tij në samitet e BE, qoftë edhe në Tiranë dhe një tjetër që vë në diskutim konceptin e opozitës në një shoqëri demokratike. Nëse ai s’e bën, ne jemi këtu për të përfaqësuar popullin opozitar e më shumë se kaq të gjithë ata që besojnë të pluralizmi dhe demokracia. Fshehja tregon frike.
Mbledhjet “online” tregojnë ikjen nga thelbi i krizës. Kthimi në normalitet lyp shumë pak: respektimin e Kushtetues, respektimin e Rregullores së Parlamentit dhe asnjë favor për opozitën.