Nga Ndriçim Kulla
“Kush e dashuron dialogun gëzohet të zbulohet në gabim”, thotë Sokrati disa herë nëpër dialogët e Platonit, duke “parapëlqyer të hidhet poshtë ose të rrëzohet nëpër opinione, se sa të hedhë poshtë ose të rrëzojë opinionet e të tjerëve, të arrijë të çlirohet nga një e keqe më shumë se sa të çlirojë të tjerët prej saj”.
Kush, në fund të një dialogu, mbetet ende në pozicionet fillestare, del prej tij po ai që ishte; kurse, ai që është detyruar të korrigjohet, del i përmirësuar dhe i barrë-hequr prej gabimit.
Ky është virtyti i epërm i çdokujt që e ka vërtet për zemër ruajtjen e shpirtit të dialogut sidomos në sferën e politikës.
Nëse nuk reagojmë kështu, por në të kundërt, e konsiderojmë një humbje, madje një poshtërim, qenësinë e të kapurit në gabim.
Pra, nëse virtyti i epërm sokratik nuk trajtohet aspak si një nder, atëherë jemi shumë larg e krejtësisht jashtë prej kornizës së parimeve e shpirtit të dialogut, e lëmë veten nën sundimin e krenarisë, mendjemadhësisë , kotësisë, delirit dhe manisë, të gjitha gjëra këto që nuk kanë të bëjnë aspak me etikën e demokracisë.
Kjo e fundit, përkundrazi, është një sistem jete sipas të cilit kush e mendon ndryshe nga ne nuk nevojitet thjeshtësisht të durohet (siç bëhet zakonisht me skenën e jetës sonë politike e madje dhe publike e shoqërore shqiptare ), por duhet të vlerësohet e nderohet lartësisht. Ky është mesazhi i madh i filozofisë politike për udhëheqësit dhe qeverisësit shqiptarë, për të cilat dialogu është një domosdoshmëri për të çuar përpara reformat e thella që na presin.
Aq më tepër që këtu nuk bëhet fjalë vetëm për çmuarjen dhe respektimin e të tjerëve.
Suksesi i dialogut dhe ballafaqimit është edhe në interesin e çdokujt që merr pjesë në të. Pasi, ashtu siç thotë Hana Arendt, “askush më vete dhe pa shokë nuk mund të arrijë ta njohë botën ashtu siç është, të shohë atë që është objektive, pasi atij ajo i shfaqet sipas një perspektive unike e cila bëhet e kuptueshme vetëm nëse arrijnë të flasin e debatojnë së bashku”.
Pra, vetëm në lirinë e të dialoguarit e kjo është një maksimë fortësisht e dobishme në çdo fushë, “bota mund të kuptohet në objektivitetin e saj të dukshëm nga të gjitha anët”.
Zagrebelsky në “Dekalogun”e tij vendos një përpjestim të drejtë midis numrit të fjalëve të njohura e të përdorura në diskutimin politik të një vendi, dhe shkallës së zhvillimit të demokracisë së tij.
Kjo e fundit, duke qenë një bashkëjetesë e bazuar tek dialogu, nënkupton që edhe mjeti që bën të mundur këtë dialog, pra fjalët, të jetë objekt i një përkujdesjeje të veçantë, madje të dyfishtë, si nga ana sasiore ashtu dhe nga ajo cilësore.
Simbolikisht, pak fjalë, pak ide, pak mundësi, nënkuptojmë pak demokraci. Sa më të shumta të jenë fjalët e përdorura në publik, sa më i pasur diskursi dhe debate politik, aq më e gjallë është demokracia.
Po në mënyrë analoge, kur gjuha jonë tkurret deri në shqiptimin e fjalëve pohuese ose mohuese, në mungesë të argumentit dhe nën diktatin e mbresës ,interesit dhe pushtetit demokracia anon drejt zvetnimit; ndërsa aq më keq, nëse përgjigjet tona janë vetëm pohuese, e këtu përfshijmë edhe heshtjen që në shumicën e rasteve i lë vendin pohimit, atëherë gjendja e njerëzve përafrohet me atë të një grigje që ka vendosur veç t’i bindet padronit.
A nuk i ngjan ky raport strukturor i Partisë Socialiste të sotme me liderin e saj?
Në shkollën e Barbiana-s, siç citon autori, Don Milani mëson se “komandon ai që njeh sa më shumë fjalë, njëlloj si llafazanët apo si sofistët”.
A nuk është ky autokrati që sot drejton Partinë Socialiste e që dhunon dhe shoqërinë shqiptare?! Sepse dialogu, që të jetë vërtetë i tillë, duhet të jetë egalitar.
Nëse dikush di vetëm të flasë ose i njeh fjalët më mirë se të tjerët, kjo nuk rezulton edhe në “logosin” më të mirë, personin, pra, që është më i zoti me fjalët, si në kohën e sofistëve.
Fjalëtimet e gjata dhe të bukura stilistikisht të kryeministrit të sotëm pseudo-rilindas, por edhe të mjaft “pseudove” të tjerë që i vijnë pas atij, gjuha e tyre e zgjedhur me art dhe dredhi, po e vuan këtë sindromë të rrezikshme të sofizmit, pasi në shumicën e rasteve fjalët e tyre të bukura janë shuplakosur nga realiteti krejtësisht i ndryshëm i gjërave.
Krahaso ekonominë, demokracinë, kulturën, arsimin, shëndetësinë e sotme si janë në realitet në raport me atë që pohon kryerilindasi.
Si është qeverisja e sotme në raport me krimin dhe korrupsionin shtetëror? – Një katastrofë e madhe dëshpëruese që të tmerron.
Kush prevalon? – Reklama, gënjeshtra, fjalët me fabula të gënjeshtërta dhe alibi, ngjyrat e shumta në kanavacën e qeverisjes së tij etj. etj, të cilat i bëjnë shërbim të përditshëm gënjeshtrës.
Qeveria e kryerilindasit ka arritur deri aty sa që me pushtetin e kapsuluar që ka në të gjitha pushtetet, të bëjë edhe ligje për t’u mbrojtur nga denoncimet për krimin dhe korrupsionin.
Edhe një herë mund të mësojmë nga Sokrati, i cili shpjegon: “Dijeni se fjalëtimi i pasaktë nuk është jo vetëm i padobishëm në vetvete, por prish edhe shpirtin”.
Fjalë të sakta, specifike, të drejtpërdrejta, me kumbim të ulët emotiv, pak metafora, në mënyrë që të lihen faktet të flasin përmes fjalëve, jo të shtohen fjalët mbi bazën e fjalëve të tjera, në një zogori përmbytëse që të konfuzon.
Vijmë kështu tek një tjetër rrezik i madh i kësaj neo-sofizme, të ngritur në kult nga propaganda e “rilindjes”.
Fjalët e diskursit publik dhe politik duhet të respektojnë konceptet dhe jo t’i korruptojnë ato, përndryshe çdo dialog bëhet një gënjeshtër siç po bëhet , një mënyrë kjo për t’i tërhequr të tjerët pas vetes në një gjuhë të ashtuquajtur hipnotike, ose siç e perifrazon Oruelli, në një neo-gjuhë, që i kokë-përmbys domethëniet e fjalëve dhe bën që gjëja e thënë të mbizotërojë mbi gjërat reale.
Ja, ç’duhet luftuar para së gjithash në gjithë këtë “marrëdhënie të gjithanshme” me publikun me të cilën kryerilindasi po bombardon mendjet e njerëzve me anën e një mazhorance që po paraqitet si mjeshtrja më e madhe përgjatë gjithë këtyre 33 viteve të tranzicionit, në shfokusimin e vëmendjes ndaj çështjeve parësore të realitetit dhe keqpërdorimit, deri në perversion, të fjalëtimeve dhe sjelljeve të pasakta dhe gjysëm ose aspak të vërteta.