“Nuk ka një plan B, ne vazhdojmë me përgatitjet e detyrimeve të bazuar në marrëveshjen me Italinë për emigrantët”, kështu është shprehur ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani në një konferencë për mediat.
Gjatë fjalës së tij, ministri Hasani ka deklaruar se kjo është një marrëveshje shumë e rëndësishme duke vënë theksin dhe tek marrëdhëniet me Italinë dhe kontributetet që ka dhënë për shtetin dhe popullin shqiptar.
Një mesazh kishte edhe për gjykatat, që sipas tij të mos ndikohen nga emocionet politike, por të marrin vendimin më të mirë që ata gjykojnë.
Pyetje: Marrëveshja Shqipëri-Itali është pezulluar përkohësisht nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Në rast se Gjykata Kushtetuese do të vendosë përfundimisht rrëzimin e kësaj marrëveshje, a ka mundësi negociatash apo rinegociatash për të konceptuar një tjetër protokoll? A keni biseduar ju për këtë edhe me ministrin e Jashtëm, Tajani pak ditë më parë?
Igli Hasani: Nuk dua të komentoj vendimet e gjykatave. Gjykatat kanë detyrimin kushtetues dhe ligjor që të japin vendimet që ato gjykojnë si të arsyeshme. Marrëdhënia me Italinë është shumë e rëndësishme. Marrëveshja e nënshkruar midis 2 qeverive është një maksimum i të gjithë atij kontributi që shteti italian ka dhënë për shtetin shqiptar dhe për popullin shqiptar ndër vite. Është një angazhim serioz që ne tregojmë në raport me partnerët tanë ndërkombëtarë duke përmbushur detyrimet e një vendi anëtar të BE-së dhe duke mos qenë ende një vend anëtar. Për asnjë moment nuk ka një plan B, ne vazhdojmë me përgatitjet përmbushëse të detyrimeve të bazuara në marrëveshje duke pritur që gjykata të shprehet në rastin më të parë me ato që ka për t’u shprehur. Shpresoj që gjykatat të mos ndikohen nga emocionet politike, por të marrin vendimin më të mirë që ata gjykojnë.