Para nisjes së sesionit të ri të Kuvendit sot në orën 17:00, Bledi Çuçi ka mbledhur Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste. Në fjalën e mbajtur para deputetëve ai ka bërë një përmbledhje të sesionit të kaluar parlamentar të cilin e ka cilësuar si atipik për shkak të qëndrimit të opozitës me bllokim e skena dhune.
Çuçi tha se ndryshimet në Rregulloren e Parlamentit synojnë të disiplinojnë mbarëvajtjen e seancave teksa ka kërkuar nga deputetët e PS prezencë nëpër seanca për të mos cënuar kuorumin dhe votimet e ligjeve. Më tej kreu i Grupit Parlamentar të PS kërkoi nga deputetët rritje cilësore të debateve në Parlament dhe pjesëmarrje aktive të deputetëve.
“Për këtë sesion dua sidomos edhe qasjen që duhet të ketë grupi ynë në lidhje me integrimin. Në kushtet kur kemi një axhendë europiane tashmë, fokusi nuk është vetëm te qeveria, por edhe te institucionet e tjera kushtetuese. Ne si grup parlamentar në këtë sesion duhet të jemi instrument llogaridhënës i institucioneve të pavarura. Të krijojmë një mekanizëm që institucionet e pavarura të kenë një fokus të veçantë lidhur me rekomandimet që jep BE”, tha Çuçi ndër të tjera.
Lidhur me seancën e sotme ai tha se pritet të kalojnë edhe dekretet për ministrat e rinj prandaj pjesëmarrja në votim nuk duhet të mungojë. Çuçi shprehu keqardhje për qëndrimet e deritanishme të opozitës që ka paralajmëruar se do të vijojë me tentativat për të bllokuar jetën parlamentare.
Kujtojmë që opozita e Rithemelimit së bashku me deputetët që mbështesin Gazment Bardhin kanë paralajmëruar sërish bllokim të punimeve të seancës.