Ndryshimet e bëra në qeveri nga kryeministrit Edi Rama kanë marrë vëmendje të shtuar te publiku, ndërsa emri i ministrit të ri, i cili është lakuar më shumë lidhet me Blendi Gonxhen.
Këtij të fundit i është besuar një menaxhim më i zgjeruar, duke bashkuar tre ministri në një të vetme. Ai u emërua në krye të ministrisë së Kulturës, Ekonomisë dhe Inovacionit.
Por si duhet lexuar kjo zgjedhje e kryeministrit Edi Rama? Për këtë taktikë apo plan politik të Ramës, analisti Mentor Nazarko bëri sqarimet në studion e “Real Story” përballë gazetarit Sokol Balla.
“Është risi, që një ministri me tre portofole të bëhet në një, është risi për historinë e Shqipërisë. Ai nëpërmjet Blendit, të cilin e njeh dhe më parë, ai do dike që të jetë vendimmarrës i shpejtë, ekzekutiv dhe cilësor dhe në këto tre portofole të mbledhura në një, ka dashur të komunikojë në një ndërmarrës dhe këto janë tri prioritete dhe tre fusha. Ka dashur një vendimmarrje të fortë, komunikim të drejtpërdrejtë të këtyre tre portofoleve me një, me dikë që ai e njeh, që ka besim dhe ka zgjedhur Gonxhen. Nuk ka dashur të shtojë numrin e ministrive, të atyre portofoleve ministrore, që mos të rrisë shpenzimet. Tre në një, sepse siç thashë do që të ketë një bashkëbisedues në ekzekutiv, që të jetë i stërprovuar në këto fusha, të cilat i ka si prioritete në këtë pjesë të mbetur të mandatit.”, u shpreh ai.
Ai shtoi se bashkimin i tre ministrive në një është rast i rrallë në histori, ndërsa në memorien e Mentor Nazarkos rezultojnë vetëm dy shtete para Shqipërisë, të cilat e kanë ndjekur këtë model.
“Islanda dhe Nigeria kanë një ministri të tillë, e cila bashkon tre në një”, tha ai.