“S’kam vrarë njeri, nuk e njoh Edmond Haxhiajn”- Zbardhet dëshmia e Ruben Saraiva për ekzekutimin e Ardian Nikulajt! Të ekstraduarit i ofrohet marrëveshje

0
22
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Dje, në ambientet e Policisë së Lezhës është rimarr në pyetje Ruben Saraiva, shtetasi portugez i vënë nën akuzën e rëndë të vrasjes për gjakmarrje.

Ai u ekstradua ditën e fundit të vitit që lamë pas nga Maroku dhe u soll para drejtësisë sonë ku akuzohet si personi që i mori jetën Ardian Nikulajt rreth një muaj para zgjedhjeve lokale në vendin tonë. Viktima ishte jo vetëm anëtar i Këshillit Bashkiak, ku rikandidonte sërish, por edhe një biznesmen i njohur në qytetin e Lezhës. Nikulajt iu mor jeta pikërisht në njërin nga bizneset e tij dhe personi që u gjurmua për atë vrasje ishte turisti i ardhur në vendin tonë Ruben Saraiva.

Ai është pyetur disa herë, por ditën e djeshme, sipas burimeve konfidenciale, Prokuroria ka tentuar t”i ofrojë edhe mundësinë e bashkëpunimit duke i parashtruar edhe kushtet përfituese nëse ai hyn në marrëveshje me organet e drejtësisë. Por, ajo që ka dëshmuar që në fillim para prokurorëve të Lezhës, por edhe nga dëshmia e ditës së djeshme bëhet me dije se Saraiva ka mohuar vrasjen, ka mohuar akuzat, ka refuzuar marrëveshjen e prokurorisë dhe ka kundërshtuar njohjen e tij me Edmond Haxhiajn, të riun e arrestuar në Londër si personi që ka organizuar dhe financuar atentatin që tronditi Shqipërinë me 19 prill të vitit 2023.

DËSHMIA E SARAIVËS

Nën masa të rrepta sigurie, i shoqëruar me dhjetëra forca policore, Ruben Saraiva, është marrë paraditen e djeshme nga paraburgimi i “313”-s dhe është dërguar në Lezhë ku mësohet se është marrë në pyetje. Mediat lokale sollën pamje nga Lezha të vendit ku edhe ishte duke u pyetur i ekstraduari dhe i akuzuari si ekzekutuesi i biznesmenit Ardian Nikulaj.

Ai qëndroi aty për afro 3 orë, ndërkohë që mësohet se ka qëndruar gjithnjë në pozita mohuese për të gjitha akuzat që i kanë ngritur. Madje, që në krye të herës, por edhe në seancën e ricaktimit të masës së sigurimit, Saraiva, ka këmbëngulur duke e akuzuar drejtësinë shqiptare që e kanë futur në gjak me familjen shqiptare e për pasojë tashmë ai ka frikë jo vetëm për vete por edhe për njerëzit e familjes, pasi sipas tij vrasja për gjakmarrje godet pjestarët e familjes. Por ajo që bie në sy në lidhje me gjithë refuzimin e tij është fakti që ai mohon të ketë takuar ndonjëherë Edmond Haxhiajn, ndërkohë që Prokuroria ka në dosjen e vet fakte, prova, dëshmi dhe pamjeve filmike që tregojnë të kundërtën.

Sipas dosjes hetimore Ruben Saraiva është pritur në Rinas nga Edmond Haxhia dhe ky i fundit i ka dhënë në përdorim edhe motorin e tij që e kishte blerë në emrin e të fejuarës, që për prokurorinë rezulton të jetë edhe mjeti që u përdor nga vrasësi ditën që u ekzekutua Ardian Nikulaj në ambientet e restorantit Coral në Shëngjin. Po ashtu, prokuroria në dosjen hetimore bën me dije se Saraiva ka qenë edhe në shtëpinë e Haxhiajt në Kakarriq të Lezhës dhe madje edhe ka qëndruar për kohë të gjatë në fshat. Por, refuzimi i njohjes së djalit nga Lezha, ka bërë që prokuroria të kërkojë sërish për pamje të tjera filmike që vërtetojnë miqësinë e të akuzuarit si autor vrasjeje dhe lezhjanit të akuzuar për financim dhe organizim të vrasjes së bujshme. Edmond Haxhia është i arrestuar në Londër për llogari të drejtësisë sonë bashkë me disa shtetas britanik, ku Prokuroria dhe Ministria e Drejtësisë po bëjnë gjithçka që ata të ekstradohen dhe të sillen në vendin tonë për tu përballur me akuzat e “Vrasjes për gjakmarrje”!

PROVAT DHE VRASJET

Prokuroria pati thënë më herët se nga pamjet filmike është vërtetuar se portugezi kishte rolin e ekzekutorit të biznesmenit, ndërsa është ndihmuar edhe nga katër shtetas britanikë, të cilët u hoqën si turistë, Stephen Hunt, Thomas Mithan, Harriet Bridgeman dhe Harry Simson, për të cilët akoma nuk ka një vendim ekstradimi në Shqipëri dhe të gjithë janë të arrestuar në Britani.

Referuar të dhënave që vijnë nga Londra bëhet me dije se Edmond Haxhia pritet të dalë në Gjykatë në fillimmarsin e këtij viti për çështjen e ekstradimit ndërkohë që nuk bëhet me dije se kur do të shqyrtohet kërkesa për pjesën tjetër të grupit të akuzuar. Por, Policia dhe Prokuroria e Lezhës që pretendojnë se kanë hedhur dritë mbi një nga ngjarjet më të bujshme të vitit që lamë pas, nuk kanë mundur të arrestojnë asnjë person për dy ekzekutimet e njëpasnjëshme që ndodhen pas vrasjes së Nikulajt. Në korrik u ekzekutua Nikolin Lekstakaj dhe pak kohë më pas në një pritë u vra edhe kushëriri i parë i biznesmenit të ndjerë, Entjan Nikulajt. Për vrasjen e Lekstakajt, në mes të ditës dhe në mes të rrugës, Policia nuk nxori asnjë informaciontjetër pos faktit që dyshohet të ishte vra për gjakmarrje.

Shoqëroi disa persona të cilët u lanë të lirë dhe ngjarja mbeti pa autorë dhe pa motive. Madje, rast i rrallë në atentatet e kohëve të fundit, nuk u gjend as ndonjë makinë e djegur për të bërë të mudnur zhdukjen e provave. Ndërsa ekzekutimi i Entjan Nikulajt u bë i organizuar dhe atentatorët e kryen krimin në rrugën e Milotit, ndërkohë që makinën e dogjën mes Niklës dhe Rinasit për të humbur gjurmët dhe për të lënë të pazbardhur vrasjen e të riut!/panorama

Zjarr Tv Ad