Kryeministri, Edi Rama, ka reaguar në lidhje kërkesën për interpelancë që kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, bëri ndaj tij në Kuvend, për akuzat që ngriti ndaj Olsi Ramës si i përfshirë në grupin e kokainës së “Xibrakës”.
Rama përmes një reagimi në rrjetin social “X” shkruan se nuk mund ta përmbushë kërkesën për interpelancë, pasi fantazitë e deputetëve për vëllanë e tij nuk kanë asnjë lidhje me qëndrimet e këshillit të Ministrave.
Rama fton Bardhin që të presë SPAK-un në lidhje me akuzat që ai ka ngritur ndaj Olsi Ramës.
Kujtojmë se ditën e djeshme vëllai i kryeministrit kallëzoi në SPAK për kallëzim të rremë Gazment Bardhin duke theksuar se ai nuk ka asnjë lidhje me laboratorin e drogës të kapur në Xibrakë në vitin 2015.
REAGIMI I KRYEMINISTRIT RAMA:
Rregullorja e Kuvendit thotë shprehimisht se, citoj, “interpelanca është kërkesa me shkrim, që i drejtohet kryeministrit, zv.kryeministrit ose çdo anëtari tjetër të kabinetit qeveritar mbi motivet, synimet, qendrimet e Këshillit të Ministrave, lidhur me aspekte te rendesishme te veprimtarise se tyre”. Duke vënë re se akuzat, fabrikimet, fantazitë e një deputeti apo grupi deputetësh, lidhur me familjarët e kryeministrit, zv.kryeministrit ose të çdo anëtari tjetër të kabinetit qeveritar, nuk kanë asnjë lidhje me motivet, synimet, qendrimet e Këshillit të Ministrave, kërkesa për interpelancë nga deputeti Gazmend B më gjen në pamundësinë e plotë për ta përmbushur.
Kësisoj, Gazmend B duhet ta presë me durim edhe SPAK-un të na ndriçojë lidhur me vërtetësinë e zbulimit prej tij të trafikantit të paidentifikuar, siç priti me shumë durim, për plot muaj, radhën tek salloni i Blendi Fevziut për ta prezantuar këtë zbulim të ububushëm, çka tregon se nuk jemi përpara asnjë urgjence të posaçme përveç turravrapit të një shërbëtori ambicioz për të fituar besimin e padronit të ri. Plus, të treja pyetjet që autori i zbulimit më drejton nuk kanë asnjë lidhje me asnjë realitet faktik. Ato burojnë thjesht nga hipoteza haluçinante mbi të cilën ngrihet zbulimi i tij, për të cilin ai edhe është kallzuar menjëherë në SPAK nga vëllai im “trafikant”.
Për më shumë, rikujtoj këtu se ç’është në dorën e SPAK-ut, për çfarëdoqoftë e për këdoqoftë, aq më tepër për tim vëlla, nuk është dot në gjuhën time dhe nga ana tjetër, një interpelancë parlamentare, ku gënjeshtrat e thëna publikisht kthehen në pyetje për subjektin e tyre, do t’i njihte çdo gënjeshtari të drejtën e padëgjuar të kërkesës së llogarisë për gënjeshtrat e tij, ndërkohë që rregulli elementar i kësaj bote qëkur njeriu i dalë nga shpella u organizua shoqërisht, e do që gënjeshtari duhet të japë, jo të kërkojë llogari. Kështu që nuk është gjëkundi në përputhje as me detyrën, as me shkallën time të tolerancës ndaj ultësisë njerëzore, po as me nivelin minimal të dinjitetit të Kuvendit të ligjvënësve të Shqipërisë, që unë të ul përtokë çmimin e kohës së nevojshme për punët e mëdha e të vogla që kam detyrë të ndjek si i zgjedhur i popullit në drejtimin e vendit, për t’u angazhuar në një ndërveprim verbal me një shkelës mendjelehtë të ligjit e të çdo zakoni të mirë të këtij vendi, një kallzues i sapokallzuar për kallzim publikisht të rremë dhe për çfarë?!
Tamam për çështjen për të cilën kam fituar një gjyq për shpifje, me një vendim fajësie për padronin e vjetër të Gazmend B, shtetasin Lulëzim B, siç kam fituar deri më tash edhe 11 gjyqe për shpifje (10 të tjera janë në proces) për të tjera sajesa të ngjashme me të tjerë shërbëtorë të zellshëm si ky dhe me vetë padronin e ri të tij, një tjetër B, ku e ku më famëkeq se sa B-ja i mëparshëm, aspak rastësisht i vetmi ish-president e kryeministër në historinë e Europës, i shpallur Non Grata nga Shtetet e Bashkuara, për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë.