Bashkëshorti i Olta Xhaçkës, Artan Gaçi është paraqitur paraditen e sotme në Prokurorinë e Posaçme.
Pasi ka dalë nga ambientet e SPAK, bashkëshorti i ish-ministres është pyetur nga gazetarët nëse “për çfarë ishte thirrur apo nëse kishte tjetërsuar pronat në jug”.
Por, Artan Gaçi ka refuzuar të përgjigjet duke buzëqeshur para kamerave dhe më pas është larguar.
Kjo është hera e dytë që bashkëshorti i ish-ministres paraqitet në SPAK pas arrestimit të ish-kryebashkiakut në detyrë të Himarës, Jorgo Goro.
Sekuestrimi i 10.592 m2 pronë
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), i ka sekuestruar 5512 m2 truall Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres Olta Xhaçka, në muajin tetor 2023.
Pas vendosjes së pranga Jorgo Goros, SPAK sekuestroi edhe pjesën e dytë të sipërfaqes së investimit strategjik të bashkëshortit të Olta Xhaçkës.
Nga hetimet ka rezultuar se Jorgo Goro në bashkëpunim me persona të tjerë, përmes falsifikimit të dokumenteve, kanë realizuar zhvendosjen faktike në terren të kësaj sipërfaqe toke duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.
“Shtetasit nën hetim kanë tejkaluar të gjitha kompetencat që ligji i njeh, duke u shprehur për ekzistencën e një mbivendosje pasurish të paluajtshme në terren dhe më pas duke konfirmuar një plan vendosje, e cila nuk i korrespondon rrethanave faktike në terren”, raporton SPAK.
Prokuroria e Posaçme informoi se planvendosja ka shërbyer jo vetëm për transaksionet e mëpasshme ndërmjet subjekteve të ndryshëm por edhe për zhvillimin e pronës, përfshirë pajisjen me leje ndërtimi për një kompleks turistik në emër të një shoqërie tregtare, i cili do të ndërtohet mbi këtë sipërfaqe toke, por edhe mbi atë prej 5.512 m2 të sekuestruar më parë nga SPAK.
E gjithë sipërfaqja e tokës bujqësore prej 10.592 m2, e cila i është nënshtruar procedurave të sekuestros preventive në dy faza, është në fakt pronësi shtet dhe rezulton të jetë tjetërsuar e më pas zhvilluar nga një subjekt privat.