Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministren e Shëndetësisë, Albana Koçiun ishin në një takim me drejtuesit e shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Kryeministri Edi Rama kërkoi nga drejtuesit e strukturave të QSUT-së që të ngrenë zërin dhe të raportojnë probleme të tilla si rasti në Onkologjik. Kreu i qeverisë tha se për disa persona, të gjitha bluzat e bardha shihen si të dyshuar dhe jo si shërbëtorë dhe kjo duhet të ndryshojë.
“Në sistemin e urgjencës kardiake nuk mungon asgjë dhe 5 mijë jetë janë shpëtuar në atë spital. Por mjafton 5 maskarenj të fshehur në radhët tuaja si merimangat e Onkologjikut që gjithçka të mbulohet nga hija e dyshimit dhe përkushtimi dhe profesionalizmi i trupës tuaj të goditet nga një dallgë revolte legjitime e një populli. Prandaj shpresoj që asnjë nga të mos e harrojë përjetimin e tmerrshëm të këtyre ditëve krejtësisht të pamerituar dhe cenimin e dinjitetit të secilit dhe të bluzës së bardhë. Janë një sërë njësish në këtë spital që kanë bërë volume shumë më domethënëse sesa deri disa vite më parë por 2 mijë pacientë në njësinë e trajtimit të urgjencave cerebrovaskulare, 2 mijë pacientë të mbuluar me gjithë gamën e sëmundjeve onkologjike në njësinë e radioterapisë dhe pastaj mijëra të tjerë sipas e detyrave të ndara nuk bëjnë lajm. Janë e përditshmja juaj. Të gjitha këto rrëzohen siç rrëzohet perceptimi për ilaçet ku kushtet për ruajtjen e cilësisë dhe menaxhimin e barnave, falë investimit, janë njësoj si në spitalet më të mira të Evropës.
Kur ekipi i Pfizer ka parë depon, nuk i besoi që ishte në Shqipëri. Buxheti total i barnave për të trajtuar sëmundjet tumorale është trefishuar, ka shkuar në 30 milionë euro në vit dhe ka bërë të mundur zgjerimin e protokollit të mjekimit për sëmundjet onkologjike. A ka padrejtësi më të madhe për të gjithë ju që për rrugaçërinë e një grupi individësh, sot shiheni jo si shërbëtorë por si një kategori e tërë e dyshuar nga një popull i lënduar në shpirt prej sjelljes kriminale të atyre. Përgjegjësia e tyre është individuale por përgjegjësia juaj që drejtoni struktura është të reagoni, të kujdeseni posaçërisht për funksionimin e përditshëm të strukturës apo nën strukturës që drejtoni dhe për të shtyrë çdo hap reformimin hap pas hapi të këtij institucioni duke ushqyer frymën e humanizmit. Takimi përpara se të vija këtu me skuadrën e Onkologjikut ishte mbresëlënës në kuptim negativ për rrënimin psikologjik dhe moral të të gjithëve që është e natyrshme sepse janë më afër nga të gjithë atyre merimangave por edhe për faktin që mungon akoma, dhe shpresoj të jetë efekt i traumës, vetëdija se çka është në “lojë” është shumë më e madhe se egot individuale dhe çfarëdo qoftë që mund të jetë arsye për të pasur opinione të ndryshme për mënyrën se si duhet të funksionojë spitali Onkologjik.”, tha Rama.