Akademiku Artan Fuga, zhvillimet e fundit, me arrestimin e Ilir Metës, Jurgis Çyrbjes dhe vënien nën akuzë të deputetit tjetër socialist Plarent Ndreca, e sheh si një dështim të politikës në Shqipëri.
Në emisionin ÇdoKënd me Merita Haklajn, Fuga u shpreh se sheh një mllef të madh popullor për situatën e krijuar, teksa uroi që drejtësia të shkojë deri në fund të këtyre çështjeve.
“Ne kemi shumë politikanë që akuzohen për inkriminim dhe ajo që mendoj është sesa të tjerë janë denoncuar e akuzuar jo vetëm nga SPAK por edhe nga KLSH për deficite, tenderë që janë në kundërshtim me ligjin. Të krijohet ideja që në 2024 në majat më të larta të shtetit ne kemi një dështim të politikës. Kjo vjen nga politika. Deputetë të akuzuar, kryetarë bashkish të akuzuar. Me dëshpërim e përjetoj këtë gjë. Ka një mllef të madh popullor.
Ajo që duhet bërë, përtej përjetimeve është që drejtësia të jetë e paanshme, e drejtë dhe me prova. Unë nuk jam që media të jetë zgjatim i dosjeve të gjyqësorit, nuk i shërben askujt kjo gjë. Në të gjitha mediat shohim të vërteta, të pavërteta, legjenda. Kjo situatë është përgatitur nga klasa politika dhe ajo ka përgjegjësi. PS do të bëjë një spastrim të radhëve të deputetëve dhe kjo strategji duket”, tha Fuga në A2.