Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, tha se ai dhe kolegët e tij janë kërcënuar për shkak të detyrës.
Gjatë fjalës së tij në ceremoninë me rastin e 5-vjetorit të krijimit të SPAK, Dumani tha se pavarësia e institucionit ku ushtrojnë detyrën është i rëndësishëm sa integriteti i gjithsecilit prej tyre.
Ai tha se pavarësisht çdo kërcënimi apo shpifje, janë betuar për t’i shërbyer vendit dhe shqiptarëve.
“Jemi përballur me përpjekje për ta minuar punën tonë, me fyerje, shpifje, kërcënime ndaj nesh apo familjarëve tanë. Por përballë këtyre jemi mbledhur bashkë si një trupë e vetme kolegësh. Kemi kuptuar sa e rëndësishme është pavarësia e institucionit ku ushtrojmë detyrën dhe sa i rëndësishëm është integriteti i gjithsecilit nga ne. Nëse dikush mendon ndryshe gabohet. Jemi betuar për t’i shërbyer vendit, drejtësisë shqiptare dhe qytetarëve shqiptarë”, tha Dumani.