Paraqitet në SPAK kryetari i partisë Fryma e Re Demokratike, Sali Shehu.
Ish-deputeti që aktualisht drejton FRD-në u shfaq në institucionin e akuzës mesditën e sotme, teksa bëri edhe batuta me gazetarët e pranishëm. Arsyet e paraqitjes mbeten ende të panjohura dhe pritet të sqarohen më tej.
Njëkohësisht ish-funksionar i lartë i PD-së dhe Policisë së Shtetit në qeverisjen e PD-së ndër vite, Shehu teksa i kërkoi policit te dera se do hynte në SPAK, u pyet për arsyen.
“Kam ardhur për qejf, do pi kafe!”, u shpreh ai.
Këmbënguljes së gazetarëve se nuk do prisnin atë 4 orë për qejf derisa të dilte, ish-deputeti iu përgjigj:
“Pse nuk vihet për qejf këtu?! Nuk do rri shumë, vetëm 5 minuta dhe do dal”.
Por nuk dha shpjegime për arsyen pse ishte thirrur, në lidhje me ndonjë çështje të vjetër që ka dijeni apo rrethana të tjera. Shehu ka qenë i hetuar dhe akuzuar për trazirat e vitit 1998 në Tiranë, pas vrasjes së Azem Hajdarit.