Tullumbacja propagandistike e ‘pasaportës evropiane’ që Rama ua premton me ngulm shqiptarëve

0
88
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Ndriçim Kulla

Edi Ramës iu rrëzua edhe kali më i fortë i betejës zgjedhore të 11 Majit. Sapo i ra gënjeshtra, manipulimi dhe propaganda që kishte tash 10 ditë që po e endet me kujdes. Evropa i shtyu negociatat me Shqipërinë pa dhënë asnjë datë afati, duke i dhënë dënimin e merituar përfitimit të tmerrshëm elektoral që një regjim dhe narkoshtet kërkonte të merrte në kurriz të saj. Po si është e mundur atëherë që u shfry kaq shpejt tullumbacja propagandistike e “pasaportës evropiane” që Edi Rama ua premtoi me ngulm shqiptarëve për vitin 2027? Kaq miope dhe dritëshkurtër të ketë qenë nisma e tij me e re, që u duk të qe një kalë i fortë beteje në zgjedhjet e ardhshme? Kaq i pa ide të jetë bërë makiavelisti i thekur i pushtetit, sa të besojë ne gënjeshtrat e veta? Edhe po, edhe jo. Prapa kësaj zgjedhje të Evropës dhe perspektivës se shqiptarëve ndaj saj, ka një domethënie më të thellë, që jo vetëm opinioni publik, por sidomos opozita duhet ta studiojë dhe monitorojë me shumë kujdes. E gjitha duket se filloi në momentin kur Rama u shpreh se Amerika na la. Askush nuk merrej me Evropën, nga enturazhi i tij, deri atëherë, sepse të gjitha fijet dhe lojërat e nëndheshme të marionetave, qenë drejtuar nga Trampi.

Me lobistë, lidhje, e kushedi çfarë marifetesh mund të pjellë një mëndje perverse interesash, Rama u përpoq të kapej pas nje takimi apo një fotoje me J.D Vance, gjë që nuk e arriti, pasi me Trump kish kohë që i kishte larë duart. Kur kjo përpjekje e mundimshme i dështoi, dhe për të barazuar me propagandë humbjen e Amerikës, iu kthye Evropës, që e kishte sharrë dhe e kishte telendisur më parë. Po si vallë gjeti një pikë takimi të tillë kontradiktore? Pika e takimit edhe njëherë tjetër është Sorosi me rrjetin e vet të fuqishëm dhe mjaft influencues në shumë shtete te Evropës, e sidomos në BE. Burokratët evropianë që po fillojnë të diskreditohen dalëngadalë në çdo vend, kanë ende një fuqi të konsiderueshme propagande dhe manipulimi. Ishte kjo fuqi reale, arsyeja e sulmit të hapur dhe pa kompromis që Vance i drejtoi kësaj Evrope të lidhur ngushtësisht me Soros dhe deep state e tij, që Trump po mundohet të shkatërrojë në Amerikë. E gjitha kjo nënkupton se kemi të bëjmë me një fuqi reale, ekzistuese në nivelet më të larta, deri tek von der Leyen, e Macron, që synon ti bëhet kundrapeshë trumpizmit dhe lëvizjes së tij. Pra, ashtu siç kishte e ka dy Amerika, kundra e pro Soros, po njëlloj ka edhe dy Evropa, të ndara në dy rryma të kundërta ideologjike. Dallimi i madh dhe i rëndësishëm është se në Amerikë, koka e gjarprit Soros u shtyp, ndërkohë që në Evropë, për shumë arsye dhe kushte gjeopolitike, ndikimi i rrjetit të tij është ende në fuqi në parlamentin evropian, pavarësisht risive pozitive që ndodhën ne Gjermani.

Ja, kjo është arsyeja që Rama iu kthye Evropës, sepse shpreson dhe beson në një ndihmë të rrjetit të Evropës pro Soros, për të kaluar lumin e pushtetit, si gjithmonë me dallavere dhe lojëra të jashtme, siç shpiku dhe ideoi, ndihmën nga McGonigali, për të dënuar opozitën. Për këtë arsye, demagogjia e ” pasaportës evropiane” nuk duhet marrë thjesht si propagandë nga ana e PD. Ajo është kokë e këmbë e tillë, ama në thelb zbulon se ku i ka varur shpresat Rama ynë i shkretë. Ndaj, e gjithë fuqia demaskuese dhe përgjegjësuese e opozitës duhet të drejtohet kah organizmave të BE, për të bërë luftën e vet të pamëshirshme ndaj propagandës se regjimit, me fakte, transparencë dhe këmbëngulje. Që Evropa e ka ende të fortë indin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, e dëshmon ky vendim i fundit, po nuk duhet harruar se edhe Evropa tjetër, nën ndikimin e fortë të lobuesve dhe deep state sorosian, arriti të shprehte nëpërmjet komisioneres Kos, se Shqipëria është shumë afër anëtarësimit. Kjo është kontradikta e madhe, kjo është thembra e Akilit të BE, se si është e mundur të mbështesë e favorizojë një narko shtet apo një regjim që synon të shkatërrojë demokracinë dhe rotacionin e pushtetit me lojëra për pushtet. Opozita nuk duhet ta anashkalojë këtë retorikë ramjane, aq më tepër që është përsëritur shpesh, sidomos në aspektin e jashtëm, raportin e saj me institucionet e BE. Nga ana tjetër, së brendshmi, ajo duhet ta luftojë në terren, tek çdo qytetar, këtë propagandë perverse që prek telat më të ndjeshëm të shqiptarëve, tek aspirata e tyre për te qenë evropianë të dorës se parë.

Deri më sot, në të gjitha zgjedhjet, Rama e akuzonte PD se s’ka program, s’ka organizim, e kështu me radhë. Mirëpo, ndërsa një program i mirëfilltë ndryshimi po shpaloset dita ditës nga opozita, çfarë bën regjimi i tij, thellon propagandën e rremë të pasaportës evropiane. Një dëshmi e qartë se ai synon të kapet pas fijeve të rrjetit sorosian, për ta pasur si program, sepse me një program të vërtetë e real nuk mund të konkurrojë. Duhet t’ia heqim këtë armë demagogjike, duke luftuar diplomatikisht dhe me të gjithë zgjedhësit shqiptarë, për ti treguar se sa i mjerë dhe i ngratë në ide, në politikë dhe në vizion është PS dhe kryetari i saj.

Zjarr Tv Ad