Bashkimi me radhët e rrjetit të mirëorganizuar terrorist, i cili dikur shpalli një Kalifat në territorin e Sirisë dhe Irakut, ishte i mundur vetëm përmes një letre rekomandimi, ku rekrutuesi i ri vlerësohej me kujdes duke u bazuar në trajnimin e tij ushtarak dhe sheriatin. Më pas, rekrutët mbaheshin nën monitorimin e përpiktë të komandantëve të ISIS, të cilët mbanin skeda lidhur me vendosjen e tyre, municionet, furnizimet dhe vdekjen eventuale. Ata që shërbyen në ushtrinë e terrorit me besnikëri, shpërbleheshin po me besnikëri, ose të paktën u premtohej një shpërblim. Për shembull, ata që arritën të marrin një avion iu premtua një makinë. Për të shkatërruar një helikopter apo dron të forcave armike, ushtarët e ISIS shpërbleheshin me të paktën shtatë dinarë ari, sipas të dhënave të kontabilitetit të siguruara nga RT Arabic. Përdorimi i armëve kimike vlerësohej më pak nga organizata terroriste e ISIS, e cila u pagoi vetëm 10 dinarë argjendi luftëtarëve të saj për të hedhur një predhë të mbushur me agjent kimik. Gazi i sinapit dhe substanca të tjera toksike janë përdorur nga ISIS në afërsi të zonave të Kirkuk, Fallujah dhe Tikrit, sipas një hetimi irakian për përdorimin e armëve kimike. Mijëra luftëtarë, së bashku me familjet e tyre, u bashkuan me ISIS në kulmin e aktivitetit të grupit në Irak dhe Siri. Shumica e tyre erdhën nga brenda Irakut, ndërsa të tjerë erdhën nga mbarë rajoni.