Të dënuarit në burgun e Burrelit pretendojnë se amnistia e shpallur nga Ministria e Drejtësisë me rastin e festave të fundvitit, nuk plotëson kushtet për ta për shkak se ndaj tyre siç pretendojnë, janë dhënë dënime të padrejta.
“Kontestojmë se kushtet që kërkon kjo amnisti nuk plotësohen nga të paraburgosurit dhe të burgosurit, pasi konstatohet se janë dhënë gjykime dhe dënime të padrejta si për drogën, për dhunën në familje, por edhe për vepra të tjera, konstatohet se ka patur padrejtësi si në hetim po ashtu edhe në gjykimin e çështjeve të ndryshme”, thuhet në letrën e firmosur nga 55 të burgosur.
Të burgosurit shkruajnë gjithashtu se Gjykatat e Rretheve të Dibrës dhe Matit kanë dhënë dënime më të rënda se Gjykatat e rretheve të tjera. Ndaj sipas tyre, kjo amnisti nuk lehtëson asnjë të paraburgosur ose të burgosur.
“Kërkesa jonë kolektive është që amnistia e këtij viti që është viti i Skënderbeut të ishte e përgjithshme dhe për një afat kohor 2.3 vjet”.