Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nisi seancën dëgjimore për Kryegjyqtarin e Shkodrës, Arben Zefi. Vlerësimi i tij do të bëhet mbi bazën e dy kritereve; pasurisë dhe atë të pastërtisë së figurës.
ILDKPKI në dokumentet e paraqitura nga Arben Zefi, sqaroi se Kryegjyqtari i Shkodrës ka kryer deklarim të saktë të pasurisë. Mësohet se Zefi ka në pronësi një apartament 132.8 m² si dhe dy automjete.
Arben Zefi mban aktualisht postin e kryetarit të Gjykatës së rrethit Gjyqësor Shkodër, ndërsa në seancë morën pjesë trupa gjykuese si: Firdes Shuli, Roland Ilia dhe Etleda Çiftja.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pohoi se Zefi nuk ka deklaruar burimin e të ardhurave për apartamentin, dhe as atë të blerjes së automjeteve.
KPK-ja, mes të tjerash tha se kryegjyqtari nuk ka treguar shumën prej 50 mijë euro të marra kredi, dhe nuk ka bërë publike automjetin e blerë nga bashkëshortja.
Nga hetimet e kryera nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, thuhet se gjyqtari Arben Zefi është i përfshirë në korrupsion.
Gjithashtu bëhet e ditur se të dhënat e KPK-së janë mbështetur edhe nga DSIK, ku thuhet se Zefi është i përfshirë në veprimtari të jashtëligjshme duke vënë kështu në pikëpyetje jo vetëm pastërtinë e figurës por edhe atë të pasurisë.