Në rubrikën Tatimet Këshillojnë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar materialin mbi Kontrollin Tatimor dhe rastet e zbatimit për të informuar tatimpaguesit. DPT ka nënvizuar se kontrollet e plota tatimore kryhen duke u bazuar në analizën e riskut. Përveç kontrolleve të plota, administrata tatimore bën edhe vizita fiskale tek subjektet apo kryen verifikime në vend.
Administratës Tatimore, gjatë ushtrimit të funksioneve të saj, i lind e drejta që të kryejë kontrolle të ndryshme në ambientet e ushtrimit të aktivitetit të tatimpaguesit. Me anë të kontrollit tatimor synohet sigurimi i plotësimit të detyrimeve tatimore nga ana e tatimpaguesve, në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi, nëpërmjet zbulimit dhe parandalimit të shmangieve tatimore dhe evazionit fiskal. Përpara se të kryhet realisht kontrolli, drejtoria rajonale e tatimeve është e detyruar t’i dërgojë paraprakisht subjektit njoftimin për kontroll.
Kontrolli tatimor, bazohet te deklaratat tatimore, në dokumente, në librat, regjistrimet e mbajtura nga tatimpaguesi, si dhe në të dhënat e siguruara nga palët e treta, që kanë hyrë në marrëdhënie me subjektin e kontrollit apo nga çdo burim tjetër i mundshëm informacioni. Kontrolli konsiston në verifikimin në vend të kontabilitetit dhe të dokumentacionit të mbajtur nga tatimpaguesi (i çfarëdolloj forme juridike qoftë ai), për t’u siguruar mbi saktësinë e deklaratave të paraqitura.
Kontrollet tatimore
Kontroll tatimor i plotë në vend: Kryhet bazuar në analizën e riskut. Është kontroll gjithëpërfshirës dhe ndërmerret për të kontrolluar të gjitha aspektet e biznesit të personit të tatueshëm për të gjitha periudhat kohore që nga kontrolli i plotë i fundit dhe të gjithë llojet e tatimeve.
Vizitat fiskale: Këto janë kontrolle të shkurtra të kryera gjatë një periudhe te shkurtër, si rregull vetëm për një periudhë të caktuar tatimore dhe vetëm për një lloj tatimi. Kur gjatë vizitave fiskale konstatohen probleme serioze dhe dyshime të bazuara për fshehje tatimi, kontrollori propozon kryerjen e një kontrolli të plotë në vend.
Verifikimet në vend: Këto verifikime të shkurtra që synojnë zbulimin në kohë të shkeljeve që kanë lidhje me regjistrimin e personave të tatueshëm (identifikimin e personave të paregjistruar), me përdorimin e pajisjeve fiskale, me përdorimin e pullave fiskale në mallrat e akcizës, me dokumentimin e mallrave në ruajtje, përdorim dhe transport, me dokumentimin e shitjeve dhe lëshimin e faturave tatimore, etj.. Për kryerjen e këtyre kontrolleve nuk jepet njoftim paraprak, por kontrollori prezantohet me dokumentin personal të identifikimit dhe urdhrin e ditës për verifikime në vend.
Njoftimi i kontrollit tatimor
Njoftimi i kontrollit tatimor i dërguar tatimpaguesit, përmban të dhëna të përgjithshme për tatimpaguesin, organin tatimor që kryen kontrollin, bazën ligjore, llojet e tatimit objekt kontrolli, periudhën/periudhat tatimore për të cilat kryhet kontrolli, datën, orën e fillimit dhe përfundimit të kontrollit dhe vendin e kontrollit tatimor. Tatimpaguesi është i detyruar të bashkëpunojnë për realizimin efikas të kontrollit.
Njoftimi i dërgohet tatimpaguesit të paktën 30 ditë kalendarike përpara datës së fillimit të kontrollit të plotë tatimor dhe në rastin e vizitave fiskale të paktën 10 ditë kalendarike përpara datës së fillimit të kontrollit.
Kujdes!
Përpara kryerjes së kontrollit, tatimpaguesi ka të drejtë të deklarojë çdo të dhënë për transaksione të padeklaruara dhe për të cilat nuk ka paguar tatim. Deklarimi dhe pagesa e këtyre transaksioneve është i vlefshëm nëse bëhet brenda 30 ditëve kalendarike, përpara fillimit të kontrollit të plotë tatimor.
Raporti i kontrollit tatimor
Raporti i kontrollit jep gjetjet e tij, problemet e dala, rezultatet e kontrollit, shkeljet e kryera nga personi i tatueshëm me argumentimin përkatës, shumën e vlerësimit tatimor të propozuar dhe referencat ligjore ku e mbështet atë. Tatimpaguesi i kontrolluar ka të drejtë të kundërshtojë rezultatet e kontrollit tatimor brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve kalendarike pas datës, kur vlerësohet se raporti është marrë prej tij.
Raporti përfundimtar i kontrollit tatimor
Raporti përfundimtar i kontrollit tatimor përgatitet brenda 14 ditëve kalendarike nga data kur është marrë apo vlerësohet se është marrë kundërshtimi i personit të tatueshëm nga ana e drejtorisë rajonale të tatimeve.
Nëse raporti përfundimtar i kontrollit tatimor propozon një vlerësim të ri, tatimpaguesi ka afat të paguajë ose apelojë njoftim-vlerësimin që lidhet me këtë raport kontrolli, por jo më vonë se 30 ditë kalendarike nga data e hyrjes në fuqi të njoftim-vlerësimit./Monitor