Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi zhvilloi sot n takim me të rinjtë e LRI-së së Bashkisë së Selenicës.
Në fjalën e saj ajo tha se përfshirja e të rinjve është shumë e rëndësishme në aksionin politik dhe kombëtar të opozitës, për të rrëzuar klikën e kriminalizuar që ka marrë peng vendin dhe ka varfëruar shqiptarët.
Kryemadhi deklaroi se LSI, nuk do të rresht së demaskuari mashtrimet e mëdha që kryeministri dhe Rilindja u bëri shqiptarëve, si hapja e 300 mijë vendeve të reja të punës, ulja e taksave, shëndetësia falas etj.
Kryetarja e LSI-së tha se tashmë ka ardhur koha që të mos mbetemi peng i këtyre mashtrimeve, por të gjithë shqiptarët duhet të bashkohen në protestat e mëdha të opozitës për rrëzimin e klikës së kriminalizuar.
“Nuk mund të ngelemi më peng i këtyre mashtrimeve, por mbi të gjitha ne duhet të rrëzojmë këtë klikë, e cila po varfëron çdo ditë e më shumë shqiptarët, ta rrëzojmë këtë klikë e cila çdo ditë dhe më shumë po bën shqiptarët më të lodhur, po i bën shqiptarët më të dobët, po i bën shqiptarët më me pa besim në vetvete. Prandaj edhe vendimi i opozitës së bashkuar është shumë i qartë, për të ecur përpara dhe për të sqaruar çdo qytetarë shqiptar dhe për të qenë në protestë në ditët e ardhshme përpara kësaj klike dhe përpara këtij individi që ka marr peng shtetin, ka marrë peng vendin, ka marrë peng popullin shqiptar”, u shpreh Kryemadhi.
Sipas saj, mesazhi i LSI, është shumë i qartë: “Ne duhet ta kthejmë Shqipërinë në shtëpinë tonë”.
Ajo paralajmëroi protestë të opozitës bashkë me qytetarët, duke nënvizuar se shqiptarët i thanë monopartizmit dhe diktaturës, ik para 27 vjetësh dhe nuk i kthehen më atij sistemi.