Presidenti Ilir Meta, i përgjigjet zërave të mazhorancës lidhur me të propozuarin e tij Bahri Shaqiri, për postin e kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Teksa mazhoranca pretendon se Shaqiri, nuk plotëson kushtet dhe më konkretisht kriterin e përvojë profesionale financiare, Meta tha se veprimet e tij bazohen në Kushtetutë.
“Kushtetuta, interesi kombëtar dhe interesi publik janë të vetmet që udhëheqin aktet edhe parimet e mia”, u shpreh Meta.
Deklarata e tij u bë teksa vendosi lule para bustit të Ismail Qemalit në Tiranë, me rastin e 100 vjetorit të ndarjes nga jeta.
Ai u pyet edhe mbi delegimin e kompetencave të ministrit të Jashtëm nga Kryeministri Edi Rama, te zëvendës ministri Gent Cakaj, ku tha se “Nuk kam asnjë koment për organizimet e brendshme të qeverisë apo pushtetit vendor. Unë e kam shumë të qartë si President i Republikës edhe për shkak të vendimit vizionar të Gjykatës Kushtetuese se kujt institucione mund ti delegoj autoritetin kushtetues për të lidhur marrëveshjet ndërkombëtare në emër të Republikës së Shqipërisë”.