Një teori e hershme konspiracioni, sipas së cilës krimineli nazist i luftës, Rudolf Hess, ishte zëvendësuar në burg nga një sozi, më në fund do të mund të rrëzohet.
Një test ADN-je, i kryer nga shkencëtarët austriakë, tregoi se njeriu i burgosur në Burgun Spandau të Berlinit ka qenë me të vërtetë zëvendësi i Hitlerit. Hess u kap pas fluturimit në Skoci më 1941 dhe u dënua me burgim të përjetshëm në gjyqin e Nurembergut. Ai u gjet i varur në burgun e Berlinit në vitin 1987, në moshën 93-vjeçare.
Studiuesit e Universitetit të Salzburgut në Austri kanë arritur të gjurmojnë një të afërm të largët të tij dhe i morën një kampion ADN-je, të cilin e përdorën më pas për të rrëzuar këtë pretendim që qarkullon prej kohësh.
Kampioni i gjakut u krahasua me atë të marrë në vitin 1982 prej personit që njihej si i burgosuri numër 7, apo i burgosuri i fundit i Spandaut. Rezultatet u përputhen thuajse 100%.
Një prej protagonistëve kryesorë të teorisë së mashtrimit ishte mjeku i Hessit në burg, W. Hugh Thomas. Teoria e tij bazohej mes të tjerash tek fakti që i dënuari i Spandaut kishte dallime fizike me Hessin, kishte refuzuar të shihte familjen e tij për vite me radhë dhe duket se vuante nga amnezia.