Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu zhvilloi një vizitë dy ditore në policinë italiane, ku zhvilloi takime me zyrtarë të lartë të policisë së shtetit fqinj.
Drejtori i Sigurisë Publike, njëkohësisht shefi i policisë italiane prefekti Franco Gabrielli, i shprehu Veliut mbështetjen dhe vlerësimin për punën dhe përpjekjet e Policisë shqiptare për të luftuar krimin dhe paligjshmërinë.
Gabrielli vlerësoi rezultatet e arritura nga Policia e Shtetit, veçanërisht arritjet në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike, ku theksoi se rezultatet e arritura në luftën kundër kultivimit gjatë vitit të fundit tregojnë që policia shqiptare ka bërë një punë të mirë.
Ai ofroi mbështetje të pakursyer në të gjitha aspektet për Policinë Shqiptare. Veliu, nga ana e tij e falenderoi Gabriellin për mbështetjen e vlerësimin, si dhe e siguroi se Policia e Shtetit është e fokusuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, policimit në komunitet dhe forcimin e marrëdhënieve me partnerët.
Veliu gjithashtu, zhvilloi një takim në drejtorinë e Policisë Kriminale me Prefektin Nicolino D’Angelo, zëvendësshefi i policisë italiane dhe Drejtor Qendror i Policisë Kriminale.
Në fokus të diskutimeve mesVeliu dhe D’Angelo, ishte mbi të gjitha forcimi i bashkëpunimit sidomos mes dy policive kriminale të dy vendeve, me qëllim shkëmbimin e informacionit në kohë reale, bashkëpunimin dhe bashkërendimin në realizimin e operacioneve të përbashkëta, në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Veliu falënderoi D’Angelo për mbështetjen e dhënë policisë shqiptare dhe shprehu edhe një herë vendosmërinë e Policisë Shqiptare në luftën kundër të gjithë fenomeneve të paligjshmërisë dhe kriminalitetit.
Po gjatë vizitës, Veliu zhvilloi një vizitë në Shërbimin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar në Drejtorinë Qendrore të Policisë Kriminale, ku u takua më kreun më të lartë të këtij Shërbimi Gjeneral Giuseppe Spina, i cili e shoqëroi personalisht Delegacionin e Policisë Shqiptare në ambientet e Zyrës ENFAST.
Aty panë nga afër se si janë strukturat dhe si funksionin Zyra ENFAST dhe njësia FAST, pasi në kuadër të iniciativës së Projektit Ipa 2017, po mbështet mundësinë e krijimit edhe në Policinë Shqiptarë të një njësie të tillë analoge. Gjatë vizitës në ambientet e kësaj Drejtorie, Delegacioni Shqiptar pati mundësinë të shikojë nga afër edhe ambientet e sallës operative ndërkombëtare, dhe funksionimin e saj. Një takim të rëndësishëm Veliu pati dhe me Prefektin Antonio Rizzi, takim i cili u zhvillua në Drejtorinë Qendrore të Antikrimit.
Rizzi shprehu vlerësimet e tij lidhur me arritjet e deritanishme dhe theksoi se pas takimit të fundit që u zhvillua mes tyre disa muaj në Tiranë, forcimi i bashkëpunimit mes dy strukturave tona, duket dhe nga rezultatet e kënaqshme që kemi arritur së bashku muajt e fundit. Gjatë këtij takimi, u bisedua për çështje konkrete me qëllim identifikimin dhe krijimin e linjave të përbashkëta të hetimeve për kapjen e personave të kërkuar që i fshihen drejtësisë, njohjen e teknologjive dhe procedurave lidhur me hetimet shkencore.
U diskutua për krijimin e strategjive të përbashkëta në koordinim të ngushtë me njëri – tjetrin si dy partnerë strategjikë, dhe zhvillimin e politikave të përbashkëta për të parandaluar dhe luftuar krimin e organizuar transnacional, intensifikimin e hetimeve të përbashkëta me qëllim rritjen e efikasitetit të hetimeve, por edhe të sekuestrimit të aseteve kriminale, si dhe një theks të veçantë u vu në rritjen e numrit të skuadrave të përbashkëta policore, me qëllim ndjekjen e hetimeve në formë më të konsoliduar.
Gjithashtu, u vendosën edhe objektiva konkrete, të cilat do ndiqen hap pas hapi dhe do të analizohen në takime periodike mes Drejtuesve më të lartë të dy Policive. Në fund, Rizzi e shoqëroi personalisht Veliu për një vizitë në ambientet e Policisë Shkencore, ku u panë nga afër se si funksiononte ky sektor dhe u bë një demonstrim i arritjeve shkencore dhe futjes së teknologjive të reja nga policia italiane në këtë sektor.
Veliu mori mbështetjen e plotë të Drejtuesve më të lartë të Policisë italianë për Policinë Shqiptare, si në mbështetjen logjistike ashtu edhe në mbështetjen me trajnime të strukturave të veçanta të Policisë së Shtetit, si Policinë Shkencore dhe Drejtorinë e forcës së Lëvizshme Operacionale.