Këshilli i Ministrave, përmes miratimit të një plani strategjik, i ka hapur rrugë nisjes së një aksioni kombëtar për gjurmimin, mbledhjen dhe shkatërrimin e armëve, municioneve dhe eksplozivëve në duart e shqiptarëve. Aksioni do të udhëhiqet nga Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Ministria e Mbrojtjes dhe një sërë institucionesh të tjera shtetërore, ndërsa do të monitorohet nga Komisioni Kombëtar për Armët e Vogla dhe të Lehta, i ngritur me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Strategjia për kontrollin e armëve të vogla, të lehta, municioneve dhe eksplozivëve ka hyrë në fuqi këtë të premte, ndërsa zbatimi i saj do të zgjasë deri në vitin 2024.
Plani strategjik parashikon që deri në vitin 2024 të ulet në mënyrë të konsiderueshme qarkullimi i paligjshëm i armëve të zjarrit, municioneve dhe eksplozivëve drejt, brenda dhe përtej vendit tonë, të ulet numri i armëve të zjarrit që mbahen në mënyrë të paligjshme në Shqipëri si dhe të shkatërrohen ato. Sipas dokumentit strategjik, aktualisht në duart e shqiptarëve janë 325 mijë armë zjarri në mënyrë të paligjshme. Në vitin 1997 janë grabitur 549,775 armë, 839,310,038 municione dhe 16,000,000 eksplozivë. Në periudhën mars-qershor të ’97 janë grumbulluar 222,918 armë 118,134,222 municione dhe 1,539,828 eksplozivë. Ndërkaq, gjatë amnistisë janar- prill 2017, janë mbledhur 1.603 armë zjarri të ndryshme, 1.558 granata dore dhe 580.634 municione të ndryshme. Pra, më shumë se sa gjysma armëve, municioneve dhe eksplozivëve të grabitura janë në duart e shqiptarëve.
Amnistia
Në strategjinë e miratuar dhe që ka hyrë në fuqi, nuk përjashtohet mundësia e një amnistie të re për armëmbajtjen pa leje, për të nxitur shqiptarët që të dorëzojnë vullnetarisht armët dhe municionet, pa u ngarkuar me përgjegjësi penale.
Krahas amnistisë ose disa amnistive 2-3 mujore, strategjia parashikon edhe ndryshimin e legjislacionit për armëmbajtjen pa leje. Do të plotësohet më tej legjislacioni i aktual, por nuk përjashtohet as ashpërsimi ligjeve për armëmbajtjen pa leje.