Banorët e Njësive Administrative 6 dhe 7 në kryeqytet tashmë kanë një zyrë të re aplikimi për kartat dhe pasaportat biometrike, pa u detyruar të presin në radhë të gjata.
Zyra e re që më herët ishte një pikë llotoje ndodhet në afërsi të Pallatit me Shigjeta.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili pa nga afër ambjentet e shërbimit tha se me lirimin e pikave të basteve, Bashkia mund ti shfrytëzojë me qira këto hapësira.
Veliaj: Po inspektojmë një pikë që deri dje shërbente si pikë bastesh, kurse sot është si pikë identiteti. Unë besoj se identiteti real i këtij qyteti është ai që jemi, ai që përfaqësojmë, familja jonë, dhe nuk janë pikat e basteve, llotot dhe bingot. Më pëlqen që me transformimin e një hapësire, që më përpara ishte e pamundur ta aksesoje, pra me lirimin e pikave të basteve, edhe bashkia mund të përballojë qira në ish-epiqendrat e vesit. Është një lajm shumë i mirë për qytetin.
Veliaj u bëri thirrje qytetarëve të mos humbin kohë pas në vetëm 4-5 minuta mund të pajisen me dokumentet e identitetit.
Krahas zyrave të posaçme që po hapen në zona të ndryshme të Tiranës, funksionojnë paralelisht edhe zyrat pranë njësive administrative ku qytetarët mund të aplikojnë për karta dhe pasaporta identiteti.