Karaxhiç/ Akuzohet për krime lufte, sot jepet vendimi përfundimtar

0
19
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Thuajse saktësisht tri vjet më parë gjykatësit e Tribunalit të Hagës për Krime lufte e dënuan serbin nga Bosnja, Radovan Karaxhiç me 40 vjet burg. Të mërkurën (20.03) Tribunali jep verdiktin përfundimtar pas apelimit.
Një burrë me shumë anë: psikiatër, poet dhe në vitet 1990 politikan i fuqishëm. Për shumë në Bosnje-Hercegovinë ai është thjesht kriminel lufte – një rast për psikiatri. Radovan Karaxhiçin e bëjnë përgjegjës për krimet më të tmerrshme të luftës, që u kryen në Bosnjë-Hercegovinë në luftën gati katërvjeçare (1992-1996).
Karaxhiçi, ndërkohë 73 vjeç, sipas akuzës mban si ish-udhëheqës i serbëve në Bosnjë-Hercegovinë përgjegjësi për gjenocidin ndaj 8000 burrave dhe djemve myslimanë në qytetin e Bosnjës Lindore Srebrenicë. Veç kësaj atë e akuzojnë për krime kundër njerëzimit. Konkretisht: dëbim, vrasje me paramendim dhe tortura. Bëhet fjalë edhe për shkeljen e së drejtës së luftës në rastin e rrethimit të Sarajevës.
Radovan Karaxhiçi lindi në një fshat malazez në vitin 1945. Prej moshës 15 vjeçare ai jetoi në qytetin multikulturor atëherë të Sarajevës në Bosnjë-Hercegovinë. Por ai vjen nga një familje, e cila kishte në radhët e saj edhe çetnikë. Çetnikët janë ekstremistë nacionalistë serbë, të cilët angazhohen për Serbinë e madhe dhe që në Luftën e Dytë Botërore u mundën nga partizanët e Titos.
“Mendja luftarake e serbëve”
Pasi u shpërngul nga malet malazeze në Sarajevën e gjallë, ku përfundoi shkollën, ai studioi mjekësi. Për kualifikim të tjera ai madje kaloi një vit në Columbia State University në New York dhe hapi pas kësaj një klinikë private psikoterapie në Pale, në afërsi të Sarajevës. Emri i tij njihej që më parë si poet.
Por “se si nga ky personalitet, i cili kishte kaq shumë anë, u bë më vonë një politikan, i cili mbronte pa dyshim një drejtim nacionalist, ky është një fenomen”, shprehet eksperti për Ballkanin, Franz-Lothar Altmann.
Tendencat e tij nacionaliste dalloheshin që në poezitë e tij, sepse që atje ai fliste për “mendjen luftarake të serbëve”, thotë Altmann. “Pastaj ai njohu Dobrica Cosiç, i cili qe romancier nacionalist dhe u ndikua prej tij.”
Jo vetëm Dobrica Cosiç e ndikoi botëkuptimin e Karaxhiçit. Ai njohu edhe Sllobodan Milosheviçin, ish-Presidentin e Serbisë, i cili vdiq megjithatë në vitin 2006, pa u shqiptuar vendimi gjyqësor nga Tribunali i Hagës.
Në vitet 1980, Karaxhiçi njohu në burg Momcilo Krajisnikun, një mik të mëvonshëm të politikës, të cilin e dënuan në Hagë me 20 vjet për krime lufte. Karaxhiçi ndenji 11 muaj në paraburgim, për shkak të gjoja shpërdorimit të parave. Pasi partia e tij Partia Demokratike Serbe (SDS) erdhi në pushtet atë e shpallën të pafajshëm dhe Karaxhiçi u bë President.
Myslimani si “armik”
Në kohën që ishte politikan, Karaxhiçi zhvilloi gjithnjë e më shumë konceptin e myslimanëve si armiq. “Kjo me sa duket ishte një përcjellje e konceptit të armikut që ekzistonte më parë për osmanët”, thotë Altmann. “Myslimanët, myslimanët boshnjakë janë për të në njëfarë mënyrë pasardhës të osmanëve, kundër të cilëve serbët, populli serb, u mbrojt dhe luftoi shumë gjatë.”
Boshnjakët dhe kroatët votuan në 1 mars 1992 në një referendum për një Bosnjë-Hercegovinë të pavarur. Serbët e bojkotuan votimin. Një muaj më vonë nisi lufta. Më parë në zonat e banuara serbe qe shpallur Republika Serbe, e cila më vonë mori emrin Republika Srpska dhe president i parë i së cilës qe Karaxhiçi. Në vitet që pasuan u vranë rreth 100.000 vetë, pati përdhunime masive dhe sistematike, qindra-mijëra vetë u dëbuan – në të gjitha palët. Dhe ndodhi gjenocidi në Srebrenicë, ku u masakruan rreth 8000 djem dhe burra myslimanë. Për kryerjen e masakrës në Hagë iu bë procesi kryekomandantit Ratko Mladic.
Të fshehur në Serbi
Mladiçi dhe Karaxhiçi jetuan për shumë vjet më pas të fshehur në Serbi. Karaxhiçi mori një identitet të ri me emrin Dragan Dabiç, ndryshoi edhe pamjen me mjekër dhe flokë të gjata.
Pas presionit të konsiderueshëm nga BE, pas 12 vjetësh Karaxhiçin e arrestuan në kryeqytetin serb Beograd. Gati tri vjet më vonë u arrestua Ratko Mladiç.
Në 24 mars 2016, Tribunali i Hagës shqiptoi vendimin kundër Karaxhiçit: 40 vjet burg. Ndër të tjera për krime kundër njerëzimit, gjenocid dhe rrethim të Sarajevës.
Në 20 mars 2019 jepet verdikti përfundimtar.

Zjarr Tv Ad