Gjermania dënon dhunën e ushtruar në protestën e fundit të opozitës. Michael Roth, ministri për çështjet europiane në Gjermani, ka thënë se dhuna është e papranueshme, dhe se vendi i tij mbështet perspektivën europiane të Shqipërisë. Roth reagoi në Tëitter, pas takimit që pati me Ministrin e Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj.
Ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane në Ministrinë e Jashtme Federale, Michael Roth, ka dënuar dhunën që është shfaqur në protestat përpara kryeministrisë dhe Parlamentit.
Reagimi i tij ka ardhur pas takimit që pati me Ministrin e Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj ku ka adresuar edhe një mesazh për opozitën.
“Jam shumë i shqetësuar nga dhuna e përdorur në protestën e fundit të opozitës . Një mesazh shumë i qartë për opozitën: Dhuna nuk është aspak e pranueshme. Ndërkohë ne vazhdojmë të mbështësim perspektivën europiane të Shqipërisë”.
Ndërkohë, zyra e shtypit e Ministrisë së Jashtme bën me dije se në takimin mes Cakajt dhe Roth, ky i fundit ka vlerësuar progresin e bërë nga Shqipëria drejt integrimit europian, duke shprehur mbështetje në hapjen e negociatave.
Ministri gjerman vlerësoi ritmin e reformave dhe inkurajoi autoritetet shqiptare të vijojnë me punën e mirë që është bërë.
“Shqipëria ka avancuar shumë në rrugën e integrimit dhe meriton hapjen e negociatave”, u shpreh Ministri Roth.
Ministrat vlerësuan se vendimi për hapjen e negociatave është i rëndësisë strategjike jo vetëm për të shtuar ndërlidhjen institucionale, por edhe për Ballkanin Perëndimor në tërësi dhe se Procesi i Berlinit duhet parë si instrument i integrimit evropian.
Ndërkohë, vendimi për çeljen e negociatave do të merret në bazë të raportit të Komisionit Europian.