Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ka njoftuar sot se është marrë i pandehur ish-oficeri i policisë, Emiljano Nuhu, i cili denoncoi kërcënimet e deputetit socialist, Rrahman Rraja, dhe pjesëtarëve të fisit të tij, ndaj policisë, në kohën kur u publikua skandali i dhunimit të Xhisiela Malokut nga djali i ligjvënësit Rraja.
Në një deklaratë për media, Balla ka deklaruar se Emiljano Nuhu ishte një tjetër aktor i telenovelës Basha-Berisha, që u përdor në dramën e vajzës nga Fushë Kruja.
“Sot kemi fituar një betejë tjetër. Tashmë prokuroria ka marrë një tjetër të pandehur, një aktor tjetër të telenovelës Basha-Berisha, ish-oficerin e policisë Emiljano Nuhu. Ky i fundit ishte njeriu i Bashës, që u përdor në dramën e vajzës nga Fushë Kruja, mbi bazën e të cilës Basha ngriti një dallgë të madhe, që mori vëmendjen e publikut për disa jave dhe sot Basha e përdor thjesht si kujtesë të të shumë historive që ka shpikur vetë, por e vërteta është se ai ka rënë vetë brenda.
Shpiku Babalen dhe ra vetë brenda, pastaj erdhi Emiljano Nuhu dhe ra sërish brenda. Gjykata dënoi Bashën si shpifës, ndërsa që drejtësia e Holandës kërkon marrjen në pyetje të tij. Është turp për demokratët e thjeshtë, që po shpërdorohen sot në disa bashki për të mbrojtur Lulzim Bashën nga ndëshkimi dhe përfshirja e turpshme e PD në një financim me oligarkë rusë.
Pas këtij vendimi gjykate, prokuroria të vijojë të mbyllë hetimet për skandalin më të rëndë financiar në Shqipëri dosjes “CEZ”, ku i pari në listë i akuzuar është Sali Berisha për 419 milionë euro dhe më poshtë gjithë ata ish-ministra, përfshirë dhe Nuel Kalaj, që nuk gjendet nga policia. Sot kam fituar një betejë tjetër, beteja për të zbardhur gjithë akuzat tona, edhe kur ishim në opozitë”, ka deklaruar Balla.