Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve deklaron se që nga 7 qershori është vendosur pezullimi i të gjitha lejeve shpërblyese për të gjithë të dënuarit.
Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Burgjet theksojnë se në asnjë burg në vend nuk rezulton ndonjë i dënuar me leje shpërblyese.
“Për të parandaluar fenomene të së kaluarës, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve (më datë 07.06.2019, nr. 5211) është vendosur pezullimi i të gjitha lejeve shpërblyese për të gjithë të dënuarit. deri në një urdhër të dytë.
Sot në datë 21 Qershor, Ministria e Drejtësisë me të gjitha strukturat e saj SHKBB dhe ato të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve kanë kryer hetime dhe verifikime dhe nuk rezulton asnjë i dënuar me leje shpërblyese, jo vetëm për IEVP Fier por në të gjithë IEVP-të në vend”, deklaron Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Më tej thuhet se “bazuar në urdhrin e Ministrit të Drejtësisë dhe planit të masave të Drejtorit të Përgjithshëm, si pasojë e zbatimit të regjimit të posaçëm të të dënuarve dhe të paraburgosurve, janë marrë masa shtesë për sigurinë në sistemin penitenciar”.