Kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla nga foltorja e Kuvendit sulmoi ashpër kreun e Shtetit, Ilir Metën, ndërsa tha se zyra e presidentit duhet liruar urgjentisht për të rivendosur autoritetin e këtij institucion.
Ai tha se pas zgjedhjeve të 30 qershorit nuk do të këtë më bojkot dhe djegie mandatesh në Kuvendin e Shqipërisë. Ai nuk harroi të falënderonte SHBA, BE dhe organizata të tjera , të cilat sipas tij kontribuuan në ruajtjen e qasjes properëndimore të vendit tonë.
“Ajo zyrë duhet liruar urgjentisht për të rivendosur autoritetin e presidentit të Shqipërisë. Keqardhje për këdo që nuk ka mundur të votoj, por rëndësishme është se të paktën e drejta iu garantua. 30 qershorin duhet ta lexojnë qartë dhe duhet falënderuar SHBA, BE dhe OSEB dhe çdo partner tjetër i Shqipërisë, të cilët kontribuuan për të mbështetur kursin properëndimor të Shqipërisë. Ne nuk kemi fituam vetëm betejën zgjedhore, por kemi fituar luftën për zgjedhjet e të gjitha radhëve në Shqipëri. Prej sot, dhe prej 30 qershorit nuk do të këtë kurrë më bojkot dhe as djegie mandatesh dhe nuk do të ketë parti molotovesh, dhe jo më PPPd-ra, që doli që nuk kishte burrë nënë që ta deshifronte. Nga sot ne vetë fitimtarët e 30 qershorit do ta ngulisim dhe e kemi kuptuar mirë sepse ne nuk fituam për faktin se kemi bërë vetëm punë të mira, por garantuam se do ta respektojmë rregullat, ligjet dhe kushtetutën. Nuk do të këtë asnjë parti që do të pengojë shqiptarët për të shprehur të drejtën e tyre kushtetuese për të zgjedhur dhe që të zgjidhen. Në 30 qershor nuk u shënua asnjë incident.
Zemërata në këtë vend ekziston vetëm në ëndrrat e Lulzim Bashës, Sali Berishës, Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës. Zgjedhjet treguan se dhuna dhe zjarri ndaj institucioneve ishin të orkestruara nga opozita e rrugës dhe jo nga opozita e re, e cila meriton respekt. Në këto zgjedhje kemi marrë ekzaktësisht të njëtën votë popullore që kemi marrë në 2017. Nuk ka asnjë bashki të vetme që mund të këtë një votë që mund të kontestohet dhe tani na pret një detyrë për të punuar për reformën zgjedhore dhe nuk kemi kohë për dëngla, por për punë”-tha Balla.