Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e përvitshëm për Klimën e të bërit biznes në botë ka vijuar të përsërisë vërejtje të ashpra për Shqipërinë, duke e cilësuar si shtetin më të korruptuar në Evropë dhe Ballkan si dhe një vend ku është e vështirë të zhvillosh aktivitete të karakterit ekonomik.
Duke cituar investitorët e huaj dhe burime të tjera informacioni, DASH shkruan se probleme mbeten korrupsioni, veçanërisht në gjyqësor, mungesa e transparencës me tenderat publikë si dhe niveli i ulët i zbatimit të kontratave.
Raporti përmend pasuritë e pajustifikuara të gjyqtarëve dhe Reformën në Drejtësi, por pavarësisht largimit të tyre nga sistemi, Shqipëria mbetet problematike për të bërë biznes.
Në dokumentin e publikuar, Departamenti i Shtetit, nënvizon se vendi ynë ka të gjitha hapësirat e nevojshme ligjore për të mbështetur investimet e huaja, por zbatimi në tërësi i tyre është në nivele jot ë kënaqshme.
Si problem të tjera renditen çështjet e pronës, ku marrja e titujve të pronësisë konsiderohen një mision i pamundur për shkak të manipulimit të vendimeve gjyqësore.
Në material, citohen edhe raporte të tjera si ai i Transparency International që e rendit Shqipërinë të 99-ën sa I përket perceptimit të korrupsionit. Kjo e bën vendin tonë më të korruptuarin jo vetëm në Evropë, por edhe në Ballkan.
Sa i përket sugjerimeve që u jepen investitorëve, DASH vlerëson se fusha me interes për t’u angazhuar mbeten energjetika, turizmi, furnizimi me ujë, industria e rrugëve dhe hekurudhave, minierat dhe teknologjia e informacionit dhe telekomunikacionit.