Policia kufitare e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës kanë zhvilluar një trajnim në Plavë për rritjen e nivelit të kapaciteteve të Policive të të tre vendeve, në parandalimin dhe goditjen e krimit ndërkufitar.
Me moton “Servo per Amici”-“Shërbejmë përmes Miqësisë”, trajnimi ka zgjatur nga data 19-21 korrik.
“Në kuadër të patrullimeve të përbashkëta ndërmjet Policive Kufitare të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës, me iniciativë të IPA-s, seksioni i Malit të Zi dhe nën kujdesin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të Republikës së Shqipërisë dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Malit të Zi, prej datës 19 – 21 korrik, në zonën kufitare ndërmjet tre shteteve, në (Plavë – Guci), po zhvillohet një trajnim 3 ditor për evidentimin e drejtimeve të mundshme ku mund të zhvillohet veprimtari e paligjshme, nëpërmjet zonave kufitare të tre shteteve, me qëllim ndërtimin e një strategjie të re të përbashkët, për të parandaluar dhe luftuar paligjshmërinë ndërkufitare”, thuhet në njoftimin e policisë së shtetit.
Në këtë trajnim marrin pjesë punonjës Policie të Kufitare Shkodër, njëkohësisht edhe anëtarë të IPA, seksioni i Shqipërisë.
Organizimi i këtij trajnimi nga IPA, seksioni i Malit të Zi, nuk ka vetëm për qëllim anën policore, por edhe anën miqësore të efektivëve të Policive kufitare të të tre vende dhe të shkëmbimit të eksperiencave mes tyre.