A do të bashkëpunojë me kryeministrin Rama? Lulzim Basha flet hapur dhe zbulon vendimin që ka marrë

0
40
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kryedemokrati Lulzim Basha nga Lushnja deklaroi se opozita nuk do të bëjë asnjë bashkëpunim, me atë që vodhi shpresën e shqiptarëve.

Basha theksoi se PD dhe populli shqiptar do jenë të vendosur, deri në rrëzimin e regjimit Rama – Doshi.

Fjala e plotë:

“Dua ta nis me një falënderim nga zemra për gjithsecilin prej jush, për themeluesit, për qëndrestarët, për drejtuesit e strukturave të Partisë Demokratike këtu në degën e Lushnjës, për zonjat e Lidhjes Demokratike të Gruas, për të rinjtë dhe të rejat e forumit të Partisë Demokratike dhe për të gjithë aktivistët dhe anëtarët tanë anembanë për sakrificën, për punën vetëmohuese, për përkushtimin e madh në këtë betejë të jashtëzakonshme dhe të paprecedentë të 30 viteve pluralizëm.

Vij këtu me një mirënjohje të madhe ndaj jush. Dhe natyrisht që jam i lumtur që ndodhem mes jush, ndonëse nuk jam i lumtur që ndodhemi në rrethana të tjera nga ato që na donte zemra ne dhe shumicës së shqiptarëve.

Fal, pra, këtij turi kam patur mundësinë jo vetëm t’ju takoj në këtë ditë, në këtë javë të ngarkuara për demokratët, për shqiptarët dhe për të gjithë vendin, javë të një shoku dhe tronditje të thellë, por po kështu t’ju shpreh se me fjalët me qëndrimet tuaja mbushem me krenari. Për forcën dhe fuqinë e shpirtit tuaj që e demonstroni në momente të tilla të vështira, që është në fakt edhe sekreti i besimit që qytetarët e Lushnjës patën tek Partia Demokratike, patën tek shqiptarët dhe po kështu që si drejtues i kësaj force politike, i lënduar siç jam dhe siç jeni thellësisht në zemrat tona, prapë se prapë padrejtësia dhe masakra e 25 prillit nuk na ka mposhtur por na ka bërë edhe më të vendosur për të vazhduar ballëlartë luftën deri në fitore, deri në largimin e këtij regjimi, deri në triumfin e demokracisë.

Sikurse ballëlartë t’ju gjej, pavarësisht se të zemëruar e të mërzitur, sepse jam i bindur se edhe ju jeni më të vetëdijshëm se asnjëherë tjetër. Se ajo që kemi arritur së bashku pavarësisht rrethanave, është fryt i sakrificës, i përkushtimit dhe i vlerave tona.

I vlerave që i bashkëndajmë në këtë familje politike, i vlerave unike të Partisë Demokratike në 30 vite, që janë një nga dy arsyet kryesore pse shqiptarët na besuan dhe na ndoqën jo thjesht në një betejë të pabarabartë, por një masakër të vërtet zgjedhore. Jo thjesht dhe vetëm për hir të fitores tonë, jo për pushtetin tonë, por për hir të shqiptarëve dhe aspiratës së tyre për ndryshim që bëmë të mundur këtu në Lushnje, sikundër dhe në Divjakë, sikundër në Mallakastër apo në Roskovec, në Patos dhe në Fier, çeljen e shpresës në zemrat e njerëzve ku ishte fikur prej kohësh dhe që bëmë të mundur një rezultat dhe numrat e votave në kutitë e numërimit nga më të mëdhenjtë në 30 vite.

Dhe ndonëse masakra zgjedhore e 25 prillit e ka ndalur përkohësisht projektin tonë të ndryshimit dhe aspiratën kombëtare për ndryshim, nga kjo masakër e projektuar për ta prerë përgjysmë, në fakt kemi dal më të fortë dhe më të vendosur sesa hymë.

Në një betejë, sakrificat e së cilës nuk mund të tregohen por që unë i di, i mbani në trupin tuaj, në shpirtin tuaj, në zemrat tuaja, në mendjet tuaja për të cilat do t’u jem përjetë mirënjohës dhe sot dua vetëm t’ju them vetëm se sa të kem frymë nuk do të lë gjë pa bërë që mundi juaj mos të shkoj dëm.

Miqtë e mi jetët tona shënohen nga momente të veçanta, disa momente janë më të veçanta sesa momentet e tjera. Dhe jam i bindur që ky është njëri prej atyre momenteve. Për gjithsecilin prej nesh, për kujtesën tonë, për vetëdijen tonë, e di që ky është një prej këtyre momenteve për mua. Sepse pavarësisht prej rrethanave, në këto takime ajo që gjej, është forcë dhe frymëzim për të vazhduar dhe për të ecur përpara. E dini dhe e di që bashkë kemi bërë beteja të mëdha këto vite. Ju e dini që lidershipi im s’ju ka dhënë privilegje por vetëm sakrifica. Dhe disa prej betejave më të mëdha të pluralizmit janë zhvilluar në këto vite, i kemi zhvilluar së bashku. Por ka qenë pikërisht ndërthurja e sakrificave dhe betejave që kemi bërë së bashku, çelësi i faktit që sot pas një masakre zgjedhore të përmasave si ajo e 25 prillit, ne nuk jemi më të dobët por më të fortë.

Fakti që ka dëshmuar shqiptarëve se përmes këtyre sakrificave dhe betejave ne nuk jemi njerëzit e privilegjeve për veten tonë, por jemi njerëzit që i primë betejave për fatin e tyre dhe familjeve të tyre.

Kjo është arsyeja kryesore pse na ndoqën në një betejë që i ngjan pothuajse pikë për pikë një tjetër beteje epike të pluralizmit 1991-shit, ku njësoj si atëherë ne dolëm pa asnjë pushtet, përveç pushtetit më të madh që të fal Zoti që është pushteti i moralit, i zemrës së pastër, i qëllimeve fisnike dhe të drejta karshi qytetarëve, karshi shqiptarëve, karshi Shqipërisë, karshi atdheut tonë.

Dolëm në këtë betejë me program, me vizion, me ofertë, përkundër një kundërshtari i cili përdori gjithçka në arsenalin e shtetit të bërë njësh me partinë duke përfshirë këtu edhe influencën e krimit të organizuar dhe paratë e derdhura lum nga ai dhe oligarkët.

Vëllezër dhe motra ishte ky bashkim i madh zemrash në radhë të parë i demokratëve dhe pastaj fronti më i gjerë opozitar që është krijuar ndonjëherë në 30 vite arsyeja që e shtyu edhe kundërshtarin politik të kryente vjedhjen më të madhe në 30 vite, masakrën më të rëndë zgjedhore në 30 vite.

Tani pas kësaj masakre ka rënë një perde e hekurt momentalisht mbi Shqipërinë. Nga ato perde që e rendisin vendin tonë përsëri në një shtet që nuk ka lidhje me demokracinë.

Dikush prej jush mund ta kujtojë se me këtë paralajmërim u jam drejtuar edhe qytetarëve shqiptarë para zgjedhjeve. Sot prapë si në 1991 apo 2001 jemi në një moment ku ka zgjedhje, por kur zgjedhjet nuk sjellin zgjidhje.

Nuk ka zgjidhje sepse vullnetit të shumicës së shqiptarëve që kërkonin ndryshim më 25 prill i është kundërvënë një pakicë kriminelësh, një pakicë e përbindshme, një pakicë e përbindshme, një pakicë që ndërthur interesat politike, korruptive, ekonomike dhe kriminale që me forcën e krimit, korrupsionit dhe parave që u vidhen shqiptarëve, arriti përkohësisht indiferencë të votave të mjaftueshme për të ndalur ndryshimin përkohësisht.

Siç e dini kësaj radhe diferenca ishte e barabartë me numrin e votave që mblodhi dhëndri dhe djali i një prej ortakëve të Edi Ramës. Ishte më e vogël se gjysma e votave të nxjerra të pavlefshme prej një nga qindra hilet që përdori siç ishte shkurtimi i listave dhe heqja e emrit të kandidatëve nga listat. Tani para nesh ka një detyrë që është më e madhe se gjithsecili prej nesh dhe më e madhe se Partia Demokratike. Një detyrë që na e ka ngarkuar ky moment historik dhe që shpeshherë na e kanë ngarkuar shqiptarët dhe sa herë na e kanë ngarkuar shqiptarët ne kemi ditur ta mbajmë atë detyrë me dinjitet e t’i dalim asaj në krye. Detyra jonë përballë kësaj pakice të përbindshme kriminelësh, përballë kësaj pakice të përbindshme të korruptuarish që duan ta mbajnë vendin peng, është të organizojmë dhe të udhëheqim shumicën dërrmuese të shqiptarëve të cilët donin ndryshimin me 25 prill dhe e duan atë akoma më shumë sot.

Po ashtu është detyra jonë që në kushtet ku ndodhemi mos të biem në grackën apo lojën tinëzare dhe cinike të atyre që e konsiderojnë demode, të vjetruar qëndrimin tonë ndaj kriminalizimit të politikës, asaj që në fakt është instrumenti i vetëm i kundërshtarit prej 8 vitesh.

Sikundër duhet të refuzojmë me përçmim përmbysjen e vlerave që tregojnë me dashje apo pa dashje ata që vjedhin zgjedhjeve e quajnë sukses dhe hajdutin njeri të suksesshëm.

Ne nuk e kemi pasur kurrë këtë model. Absolutisht kemi pasur gabimet tona, si në qeverisje ashtu edhe në opozitë. Por ky nuk ka qenë kurrë modeli ynë, ky nuk është modeli im, ky nuk është vizioni im dhe jam i bindur që nuk është vizioni i asnjërit prej jush këtu në sallë, i asnjë demokratik dhe demokrate, lushnjare dhe shqiptare.

Dhe nëse ata që zhvilluan luftën totale kundër demokracisë duke përdorur të gjitha instrumentet e mundshme të partisë-shtet, të oligarkisë, të krimit të organizuar për të shkatërruar zgjedhjet për ne është imperative të jemi tani në luftë totale duke përdorur tashmë çdo instrument për të kthyer demokracinë dhe zgjedhjet e ndershme në vend.

Ndaj, sa më takon mua arsyeja, motivi dhe objektivi që më sjell para jush për t’ju kërkuar besimin tuaj është një dhe vetëm një: të përdorim çdo mjet, të angazhohemi në çdo formë, në çdo forum të brendshëm dhe të jashtëm, të marrim mbi supe çdo përgjegjësi që në kohën më të shkurtër të mundshme të çmontojmë regjimin Rama-Doshi me kompani, se emrat e tyre nuk mbarojnë po t’i marrim me radhë dhe ta çojmë vendin sa më parë drejt zgjedhjeve që do të sjellin zgjidhje.

Motra dhe vëllezër siç shumica prej jush e dinë dhe siç të rinjtë e kanë dëgjuar prej baballarëve dhe nënave të tyre, 30 vite më parë Shqipëria u ngrit nga hiri i një diktature të pakrahasueshme me asnjë regjim tjetër në Europë dhe po ashtu si 30 vite më parë ne hymë në një betejë të pabarabartë, pa asnjë pushtet por vetëm me pushtetin moral dhe me besimin tek vlerat themelore të njerëzve të lirë dhe të ndershëm. Nuk e di nëse kjo është një lojë e fatit apo tekë e historisë, apo një mundësi për të rindezur edhe njëherë zemrat e drobitura të demokracisë.

Megjithatë ne kemi një detyrë dhe këtë detyrë nuk mund ta shmangim, as të bëjmë sikur nuk e shohim sepse jemi ne trashëgimtarët e betejës që hodhi komunizmin, jemi ne trashëgimtarët e lëvizjes së Dhjetorit që solli pluralizmin, jemi ne që e nisëm dhe demokracia filloi me ne dhe këtë moment jemi ne shpresa e vetme e shqiptarëve për demokraci, për zgjedhje të vërteta dhe për të çliruar vendin nga ky regjim.

Në qoftë se është diçka e qartë gjatë këtyre 30 viteve për demokratët dhe për kundërshtarët tanë, është që ne nuk jemi dorëzuar kurrë edhe në kohë të vështira kur sfidat dukeshin të pakapërcyeshme dhe fati ynë i pasigurt. Nuk jemi dorëzuar sepse kemi besuar në vlera dhe sepse kemi vazhduar rrugën të bashkuar”. – tha Basha.

Zjarr Tv Ad