Kandidatja për kryetare në PD Edith Harxhi ka votuar në degën e kësaj force politike në njësinë 5 në Tiranë, ku u shpreh e bindur se do të jetë fituese e garës. E megjithatë e pyetur nëse do të largohet në rast humbje, Harxhi tha se beteja për hapjen e PD-së që nisi sot nuk do të ndalet për asnjë çast.
Edith Harxhi:
PD është një aset, është një pasuri kombëtare, sot është dita e demokratëve, uroj shumë që të ketë një pjesëmarrje masive, pasi ne sot votojmë reformimin e PD-së. Absolutisht që mendoj se në radhë të parë do të fitojnë demokratët, jam e sigurt që vota e tyre do të jetë për ndryshimin.
Unë dua të bëj një thirrje për zotin Basha, demokratët duhet të jenë në lista, janë penguar themelues të PD-së që të votojnë, me pretendimin se nuk kanë qenë aktiv në fushatë. Kjo nuk është normale, ndryshimi ynë do të sjellë votën e hapur për të gjithë shqiptarët, beteja ime fillon sot.
Absolutisht që unë do të vazhdoj aktive edhe pas 30 vitesh, ju thashë që beteja ime fillon sot.