A është i nevojshëm vetingu për bizneset?

0
39
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Vetting-u është një proces përmes të cilit hetohet për një individ, kompani ose ndonjë entitet tjetër para se të merret një vendim për të bashkëpunuar në një projekt të caktuar.

Koncepti i Vetting-ut në Shqipëri është bërë i njohur për publikun gjatë hartimit të Reformës në Drejtësi, e cila përfshin dhe procesin e vetting-ut për organet dhe sistemin e drejtësisë.

Kjo reformë përbën reformën më të rëndësishme të dekadës së fundit dhe një prej reformave më të rëndësishme të tranzicionit në Shqipëri.

Objekt i saj nuk janë vetëm organet e drejtësisë dhe sistemi i të drejtës, por edhe indirekt, niveli i mirëqeverisjes dhe i standardeve të demokracisë funksionale në Shqipëri.

Çfarë po ndodh me zbatimin e kësaj reforme?

Sipas Institutit të Studimeve Politike, procesi nga miratimi i reformës në drejtësi dhe deri në zgjedhjen e organeve të reja përmes kritereve të vetting-ut, deri tani ka rezultuar i vonuar dhe problematik në disa elementë të tij. Strukturat me pritshmëri të lartë dhe mjaft të rëndësishme, siç janë SPAK dhe BKH ende nuk janë ngritur, në pritje të jetësimit të fazës së vetting-ut.

Nga raportimet e drejtuesve kryesorë të gjykatave dhe të Prokurorisë, gjendja aktuale në sistem është inaktive, pritëse. Pritshmëritë për vetting të thellë të të gjithë sistemit dhe deklarimet kritike adresuar një pjesë të madhe të gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë dhënë efektet e tyre në rënien e efektivitetit të punës, në ikjen nga gjykimi i çështjeve të rëndësishme, në krijimin e një numri të madh të çështjeve stok ende të pagjykuara, si dhe në elementë të tjerë, me ndikime direkt apo indirekte në dhënien ose mohimin e së drejtës.

A mjafton vetëm vetting-u në Drejtësi apo duhet të shtrihet dhe të biznesi?

Të hetohet mbi aktorët e sistemit të drejtësisë është një lajm i mirë për Shqipërinë, edhe pse ende nuk ka nisur zbatimi i mirëfilltë dhe ka një mungesë transparence të theksuar për mbarvajtjen e procesit të vetting-ut. Gjithsesi, sistemi i drejtësisë nuk është i vetmi problem themelor i vendit tonë.

Është e nevojshme të kryhet një proces hetues i kujdesshëm dhe transparent edhe për të gjitha kompanitë që kërkojnë akses në fondet publike. Kompani të cilat regjistrohen pak ditë para tenderimit apo që kanë aksioner të paqartë duhet të penalizohen në garim.

Gjithashtu, arkivimi i punëve publike të kryera nga çdo kompani aplikuese do të lehtësonte procesin e përzgjedhjes së kompanive. Një proces i tillë do të ulte nivelin e korrupsionit dhe shpërdorimin e fondeve publike, duke i bërë ato më eficiente dhe më produktive.

Sipas Rudi Kruger, menaxher i përgjithshëm i Kujdesit për Riskun tek LexisNexis, mungesa e vetting-ut në këtë rast sjell si pasojë shpërdorimin e fondeve dhe mos ofrimin në kohë ose siç duhet të shërbimit tek njerëzit.

Dhënia e koncensioneve ose e fondeve publike pa një proces vetting-u do të sjellë si pasojë edhe uljen e besueshmërisë së njerëzve tek qeveria dhe ulje të mirëqenies ekonomiko-sociale të njerëzve duke qenë se shpërdorimi i fondeve për investime bën që ekonomia të mos rritet me të njëjtat ritme si do të rritej në rast se investimet do të ishin produktive dhe të kontrolluara.

Këto janë tregues të shpërdorimit të fondeve publike dhe të pasurive kombëtare. Një mënyrë për të shmangur korrupsionin dhe këto shpërdorime do të ishte një proces trasnparent i vetting-ut të kompanive që konkurrojnë për fitimin e një koncensioni ose fondi publik dhe krijimi i një të regjistri publik për fondet e marra nga secila kompani dhe bërja publike e vlerësimit të cilësisë së punimeve. Kompanitë private të cilat aksesojnë fonde publike kanë përgjegjshmëri publike dhe aksionerët përfitues duhet të njihen gjithashtu nga publiku dhe në rast se në të shkuarën ata kanë patur shkelje të rregullave dhe ligjeve shtetërore atëherë duhet të penalizohen kur garojnë sërish  për fonde publike.

Marrë nga Probiznes.al

 

Zjarr Tv Ad