Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, është pyetur nëse i qëndron të njëjetit mendim si Sali Berisha, që Edi Rama të japë dorëheqjen dhe të krijohet qeveri teknike.
Meta tha se është i bindur se kjo periudhë e errët e vendit tonë, do të marrë përgjigjen e merituar.
“Jam i bindur që kjo periudhë e errët e vendit tonë, e dominuar nga një qeverisje tërësisht mafioze, e dominuar nga një arrogancë që e ka përjashtuar popullin e Shqipërisë nga çdo vendimmarrje, do të marrë përgjigjen e merituar dhe për këtë jam optimist. Nuk ka asnjë shans që besimi në ndryshim të vritet”, tha kreu i PL.
Meta foli dhe për turin e tij, për të cilin tha se do të vijojë deri në ditën e zgjedhjeve.
“Edhe unë kam nisur turin e takimeve dje nëpër Shqipëri dhe do ta vazhdoj deri në ditën e zgjedhjeve. Dhe u bëj thirrje atyre që themeluan LSI, atyre që na kanë ndjekur, që janë zhgënjyer, që nuk besojnë te ëndrra europiane, u bëj thirrje të na bashkohen. Kudo do të shkojmë do të takojmë çdo shqiptar patriot, çdo të ri, çdo pensionist dhe do u tregojmë programin e Partisë së Lirisë”, tha ai.