Kandidati në Primaret e PD-së për Bashkinë e Kamzës, Shemsi Prençi thotë se dreka e organizuar nga deputeti demokrat, Xhelal Mziu në të cilën morën pjesë deputetë të dy grupimeve brenda kësaj force politike, nuk kishte si synim pajtimin mes palëve.
Në një intervistë televizive, Prençi u shpreh se ishte thjesht një drekë mes miqsh.
“Ndoshta do të isha personi jo i duhur për të komentuar këtë temë, por gjithsesi, me atë që unë kam parë, unë personalisht si aktivist i PD-së, kam 3-4 muaj që merrem me riorganizimin e PD-së në Kamzë dhe jo vetëm në Kamzë, këtë drekë e shoh si një drekë miqsh, pa shkëlqim për vitin e ri dhe pa shkëlqim për politikën. Janë miq, sepse brenda grupeve ka marrëdhënie të shëndosha të individëve të caktuar.
Rasti i deputetit Xhelal Mziu presupozon që ka miqësi të ngushtë me pjesëtarë të grupit të Alibeajt, por edhe me pjesëtarë të grupit Berisha, si dhe i tillë ka ofruar një drekë fundviti, qëllimi nuk mendoj se ka qenë për qëllim pajtimi, por thjesht për të kaluar një drekë. Ndoshta është një qëllim më i largët i zotit Mziu, sepse ende çështja e garimit për 14 majin nuk ka përfunduar”, theksoi ai.