A po merr jetë, falë edhe Berishës, e Djathta ekstreme në Shqipëri

0
18
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

NGA BEN ANDONI

Pak dhe gjithnjë e më pak po flitet për të ardhmen e së Djathtës në Shqipëri. Për shumë nga ithtarët e vet të pandryshueshëm, ajo mbetet e identifikuar vetëm me Partinë Demokratike dhe pak partiza aleate të saj. Gjithnjë e më konfuze prej të tashmes, ku ndarja e saj s’është më vetëm fakt, por po kthehet në fenomen në shoqërinë politike shqiptare, ajo po kap një cak, ku pakkush mund të parashohë dritë në fund të tunelit. E para prej pamundësisë së krijimit të një identiteti bashkëkohor dhe e dyta prej paqartësisë ideologjike të saj. Për të parën “u kujdes” e gjithë paria e saj pas humbjes fatale të vitit 2013 dhe veçanërisht z. Basha prej pozicionit dyzues.

E dyta që lidhet me sensin ideologjik lidhet me lëvizjen e “Foltores”, aksion politik i ndërmarrë nga Berisha, lideri i saj historik. Ku në një moment ngazëllimi do të shprehej se tash e tutje, Partia Demokratike do drejtohej drejt Konservatorizmit! Nuk është koha që të tregojmë pamundësinë dhe si “e harruan” ithtarët e saj, porse një gjë bëri bajagi përshtypje, që mes njerëzve të PD-së, kalimi ideologjik, që proklamoi lideri iu mbivendos të gjithë asaj që ata mendonin dhe mëtonin se dëshironin për partinë e tyre. Sot, Partia Demokratike, nëse edhe do e supozonim të bashkuar (në fakt është ndarë për të mos u bashkuar më, por me një peshë më të madhe të grupit të Rithemelimit mbi PD-në Legale) tregon se e ka mbyllur misionin e saj. Këtë më së shumti e kanë kuptuar dy liderët, ai historik i PD-së Berisha, që e ka përcjellë përgjatë tri dekadave të Djathtën shqiptare dhe ai pragmatist Basha, që ka dashur t’i marrë produktin e sotëm.

Duke mos pasur një përcaktim ideologjik (jo në program) por edhe në vetëdijen e tyre, Partia Demokratike, sot është në nivelet e saj më të ulëta tek anëtarësia. Veçse, në vitet e fundit s’ka qenë vetëm kjo, por edhe pesha e së Majtës, që falë të gjithë mundësive, përdorimeve e manovrimeve (jo pak herë të padrejta) e ka rrënuar gati krejt Partinë Demokratike. Gunther Krichbaum, përfaqësuesi evropian i Grupit Parlamentar të CDU/CSU në Parlamentin Evropian dhe deputet në Parlamentin gjerman (ditët e fundit erdhi sërish në Tiranë) ka qenë nga ata, mes shumë të tjerave, që ka alarmuar për këtë gjendje, por duke vendosur pikat mbi “i”.

Duke i treguar qeverisjes ‘Rama’ të ketë kujdes por edhe duke e paralajmëruar për pasoja. Ashtu si vite më parë alarmoi për bojkotin e aleatëve të vegjël shqiptarë, PDsë dhe i tregoi Berishës indirekt ditët e fundit, se duhet respektuar Drejtësia. Për fat të keq, familja e aleancës politike gjermane kristian-demokrate e Qendrës së Djathtë ka kohë që nuk komunikon normal, përveç Bashës, që po bjeret shumë në numra, por më shumë se kaq në besueshmërinë e momentit, kur demokratët mëtojnë ringritjen.

Duket se PD-ja e Berishës, ende e pazyrtarizuar, për të mbijetuar po merr tiparet dhe po ushqen karakteristikat e një të Djathte ekstreme.

Po marrin në ndihmë studimin e një politologu holandez, që i është kushtuar të Djathtës Ekstreme përmes studimeve. Cas Mudde e përkufizon të Djathtën Ekstreme në kontinent si një kombinim i katër koncepteve të gjera, referuar në shkrimin “Far or Extreme Right”: “Ekskluzivizmi (d.m.th., racizmi, ksenofobia, etnocentrizmi ose etnopluralizmi); tipare antidemokratike, jo-individualiste (d.m.th., kulti i personalitetit, hierarkizmi, monizmi, populizmi, antipartizmi, një pikëpamje organiciste e shtetit); një sistem vlerash tradicionalist që vajton për zhdukjen e kornizave historike të referencës (d.m.th., ligji dhe rendi, familja, komuniteti dhe kombi etnik, gjuhësor dhe fetar, si dhe mjedisi natyror); dhe një program socio-ekonomik që lidh korporatizmin, kontrollin shtetëror të sektorëve të caktuar, agrarizmin dhe një shkallë të ndryshme besimi në lojën e lirë të forcave shoqërore darviniste të tregut”.

A është kjo një paraqitje, që mund ta përfshijë në modulin e vet edhe PD-në? Autori vazhdon me nëndarje, duke u marrë me kujdes me konceptin në përgjithësi dhe në veçanti me prirjet e sotme… Nuk është e vështirë të kuptosh e të ndjesh të gjithën këtë prirje, por kur shikon qasjen, që tashmë mbizotëron në Ballkan, kupton se tiparet e të Djathtës ekstreme po duken ngado tek PD-ja shqiptare, që nga ana e saj ndihet e vetësulmuar; e shkatërruar nga sulmet e brendshme; e mënjanuar me të gjithë format nga PS, e të tjera.

Gjuha e ashpër e Berishës dhe e njerëzve afër tij, format e ligjërimit shpesh tej limiteve, nacionalizmi ekstrem, forma të kamufluara të gjuhës së përdorur ndaj ardhjes së emigrantëve, ambiciet konfuze të shtetformimit, problemet dhe shprehjet për minoritetet dhe, jo e fundit për nga rëndësia mënyra sesi po mundohen të shikojnë të retushohen shumë figura të së shkuarës fashiste këto e bëjnë dihatjen e të Djathtës ekstreme të mos duket aq e largët. Rrjeti i Ndërgjegjësimit Radikal (RAN) do të konkludonte në një referim për Ballkanin në vitin 2021 se: Lëvizjet e ekstremit të Djathtë kanë struktura komplekse ideologjike dhe organizative që lidhin politikën, nënkulturat dhe grupet kriminale. Po a është vetëm induktimi i frymës “së fortë” nga Berisha dhe narrativa e tij, që e ka përcjellë këtë gjendje?! Ka disa të vërteta në kohën tonë, që nuk mbulohen dot nga politikat e BE-së dhe pohimet optimiste të qeverive në fuqi, si kjo e Ramës tek ne: kriza gjithnjë e më e madhe e kostos së jetesës po e përgatisin të Djathtës ekstreme ngado.

Shtuar me mungesën e besimit, që përcjellin liderët e BE-së dhe kakofoninë e zërave, tashmë publiku duhet të jetë i përgatitur. Rasti i fundit me ballafaqimin e ashpër, Izrael-Palestinë, ku kanë humbur jetën shumë njerëz ishte një kriter jo i pakët i mosbesimit total të njerëzve ndaj institucionit, kurse tollovinë europiane të dialogut Kosovë-Serbi e kemi para syve.

Por, duke u kthyer pas tek ne: duhet të kujtojmë se politika e ekstremit të Djathtë veç asaj që thuhet dhe përcjellin për autoritarizmin dhe antikomunizmin, që nuk ndahet nga goja e PD-së, realiteti ka sjellë dhe një kult interesant, që shtrihet nga paprekshmëria e Kultit të Berishës por edhe të gjithë njerëzve të PD-së. Këtë e shikon në ditët e fundit në të gjithë deklarimet e njerëzve të PD-së që e mbështesin, qoftë me gjuhën e urrejtjes, me thirrjet për mosbindje civile, gjuhën e ashpër në stadiume dhe gjithnjë e më shumë personazhe që e artikulojnë hapur sfidën e ligjit dhe urrejtjen. Indirekt, ti kupton mëtimin se këta njerëz “superiorë” duhet të kenë të drejta më të mëdha se njerëzit inferiorë, një nga idetë e zakonshme të së Djathtën Ekstreme, që historikisht në historinë politike kanë mbështetur një hierarki darviniste ose elitiste të bazuar në besimin në legjitimitetin e sundimit të një pakice të supozuar superiore mbi masat inferiore (Ibid).

Bash këta, sot, janë thjesht për të mbushur sallat dhe për të brohoritur, pa e ditur thelbin se ku po kanalizohen. A mund të ketë jetë e Djathta Ekstreme tek ne? Nëse në ekonomi ndonjëherë quhet “fat” informaliteti, ashtu dhe në politikë konsiderohet një lloj “fati”, tollovia e mungesës së identitetit, që me situatën konfuze mbi dhe nga Berisha po shikohet qartë. Ky është pak a shumë edhe rasti i fundit me PD-në e dy krahëve dhe vigjëlimin e të Djathtës ekstreme… mbi ne. (Homo Albanicus)

Zjarr Tv Ad