Kancelarja gjermane Angela Merkel nis këtë të enjte një vizitë dyditore në Athinë për t’u takuar me kryeministrin grek Aleksis Cipras, me presidentin Prokopis Pavlopulos si dhe me kreun e opozitës Kiriakos Micotakis.
Vizita e shefes së ekzekutivit gjerman këto ditë nuk është e rastësishme. Ndërkohë që Maqedonia pret finalizimin në Parlament të marrëveshjes me Greqinë për emrin e ri Maqedonia e Veriut, kjo marrëveshje duhet të miratohet dhe në parlamentin grek. Merkel vjen këtë radhë pikërisht për të mbështetur Ciprasin në prag të procedurës parlamentare.
Por qeveria greke nuk është ende e sigurt për garantimin e votave. Marrëveshja e Prespës kalon me një shumicë te thjeshtë prej 151 votash nga 300 gjithsej. Por partia Syriza e Aleksis Ciprasit ka vetëm 145 vende dhe i nevojiten të paktën 6 vota të partisë Grekët e Pavarur të Panos Kamenos. Kjo force ka shprehur qartë kundërshtimin e emrit Maqedonia e Veriut, duke kërcënuar se do të largohet nga qeveria nëse marrëveshja zbatohet.Për vizitën e Merkelit, Athina gjendet nën masa të rrepta siguria ku më shumë se 2.000 policë janë në gatishmëri dhe shumë akse rrugore janë të mbyllura. Ndërkohë që priten protesta kundër vizitës së saj nga aktivistë të partisë së Agimit të Artë.