OSHEE/ Rëndohet fatura e energjisë, rritet konsumi me 30%

0
11

Plot 30 për qind më shumë energji elektrike është konsumuar gjatë dhjetorit, krahasuar me nëntorin e vitit 2018, e kjo sipas OSHEE-së do të thotë se, mesatarisht qytetarët duhet të përgatiten për një faturë dritash 30% më të lartë për muajin e fundit të vitit që shkoi.

“Duhet të jemi të ndërgjegjshëm që do të kemi edhe një faturë 30% më të lartë në rastin mesatar, kjo për shkak edhe të rritjes së ngarkesës dhe uljes së temperaturave.

Por edhe festat, që këtë vit kanë filluar që në datën 25”, tha Elton Sevrani, drejtor i Divizionit Tregtar në OSHEE.

Rritja e konsumit ka vazhduar edhe për janarin, ndërkohë që OSHEE ka siguruar sasitë e nevojshme të energjisë për furnizim pa ndërprerje.

Viti 2018 ka qenë një vit i mirë hidrik, por për financat e OSHEE-së, edhe pse nuk ka pasur importe të mëdha, rëndon blerja e detyrueshme e energjisë me çmime të larta nga hidrocentralet e vogla private.

“Në financat e OSHEE-së ka pasur përsëri ndikim negativ.

Kjo për faktin se atëherë kur kemi një mbiprodhim hidrik në vend, kemi prodhim edhe të burimeve hidrike, HEC-eve të vegjël, të cilët kanë një çmim të lartë blerjeje energjie dhe anasjelltas.

Kur nuk ka prodhim vendas detyrohemi të blejmë në tregjet e parregulluara”, tha më tej ai.

Gjithsesi, OSHEE-ja thotë se çmimi final për konsumatorët e saj nuk ndryshon, por ndikime ka tek investimet.

“Në të gjitha rastet, OSHEE nuk lëviz dot në nivelin e shitjes së energjisë në treg.

Pra, çmimi me të cilin ua shesim abonentëve finalë është i përcaktuar dhe gjithçka do të amortizojë vlerën financiare që ne kemi për investime”, tha Elton Sevrani.