Gazetari investigativ, Artan Hoxha, komentoi në emisionin “Të Paekspozuarit”, në MCN TV, padinë e re ndaj ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, që është në kërkim ndërkombëtar. Hoxha tha se çështja e re ndaj Ahmetajt erdhi pas padisë së familjes Myderizi në Tiranë që kishte aksionet te ish-fabrika e Bukës, trualli i të cilit dyshohet se iu dha pas ndërhyrjes së ish-ministrit të Financave një bizmesmeni për të bërë një qendër tregtare.
“SPAK ka nisur një çështje të dytë ndaj ish zv.kryeministrit, tashmë të shpallur në kërkim, Arben Ahmetajn. Këtë radhë padia ndaj tij është bërë nga familja Myderizi, ajo ka qenë pikënisja. Kjo familje është aksionere me 50% e kompanisë “Buka”, që ka qenë shtetërore, por për shkak të ndërhyrjes së një biznesmeni, është tjetërsuar objekti dhe prona dhe sipas hetimeve të BKH dhe SPAK, shteti ka pësuar një dëm prej 7 miliardë lekësh.
Në një sqarim që bëri Ahmetaj, ai dha versionin e tij, që jo vetëm ka nuk e ka dëmtuar shtetin, por ka rivlerësuar aksionet dhe shteti aty është me fitim shumë herë më të lartë, me atë që ka qenë vlera e aksioneve më parë.
Ish-trualli dhe objekti, tashmë është ndërtuar qendër tregtare.
Me sa pashë, nga materiali, hetimi do të bëhet te kontaktet që ka patur zoti Ahmetaj me biznesmenin, i cili ka ndërtuar qendrën tregtare.
Në kontrollin që iu bë vilës së ish-bashkëshortes së zotit Ahmetaj në Hamallaj, u gjet celulari i famshëm dhe janë gjetur të dhëna.
Tek inceneratorët, Ahmetaj nuk ka akuzë direkte. Hetimi ndaj tij është hetim pasuror, nga i burojnë të ardhurat. Nuk ka dalë gjëkundi te inceneratorët.
Çështja e re është për shpërdorim detyre dhe dëmi shkon në 7 miliardë lekë. BKH ka gjetur kontakte dhe thotë që Ahmetaj ka udhëtuar me biznesmenin në fjalë, kanë komunikuar me njëri-tjetrin para se të bëhej privatizimi i objektit, që tregon se ata kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Por, nga e thëna në të bërë, kemi ende një rrugë të madhe dhe të shohim qartësisht se çfarë ka ndodhur te kjo histori.
Kjo është metodë, si shprehja e popullit, kali që kapet shinë gjithë lëmin. Ai që kapet, tani çfarë do të dalë rrugës….
Në reagimin që bëri, Ahmetaj la të kuptohej që ka drejtësi selektive, ose “shpërthim i kontrolluar”, pra të ketë efektin. Më tërheq vëmendjen standardi që po ndiqet. Nëse do të ndiqej për të gjithë funksionarët, bujrum e kanë mbështetjen dhe të fillojnë. Shko te trau i resortit në bregdet apo Tiranë, shiko ku banojnë, ku hanë, etj.”-tha Hoxha.