Një vajzë e mitur 10-vjeçare ka humbur jetën tragjikisht në një aksident në kryeqytet. Ajo ndodhej në rrugën “Njazi Meka” kur u përplas nga një automjet dhe për pasojë vdiq në spital.
E mitura A. Petali nga Tirana, e cila humbi jetën tragjikisht mesditën e sotme pasi u përplas nga makina, jetonte me babain dhe 3 motra dhe vëllezër. Fëmijët jetonin vetëm me të atin pasi ky i fundit ishte divorcuar nga e shoqja.
Familja Petali jetonte prej vetëm 4 ditësh në banesën ku ndodhi ngjarja e rëndë. Burime bëjnë me dije se Alban Guri është larguar nga vendi i ngjarjes pas aksidentit ndërsa është arrestuar pak minuta më vonë.
Alban Guri, drejtuesi i mjetit që u përfshi në aksidentin që i mori jetën të miturës është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Nr.4. Në dëshminë e tij fillestare ka treguar se në momentin e aksidentit, e mitura ka dalë nga dera e shtëpisë dhe i ka prerë rrugën dhe nuk ka mundur ta kontrollojë mjetin për të shmangur aksidentin.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes shihet se përplasja ka ndodhur në derën e shtëpisë së të miturës, ndërsa rruga nuk ka fare trotuar. Muri i banesës së familjes Petali me rrugën nuk i ndan asgjë.