Deputetja demokrate Albana Vokshi, shprehet se Sali Berisha, është rikthyer në mision në Partinë Demokratike, pasi demokratët e zhgënjyer nga Lulzim Basha, e kanë mirëpritur. Ajo tha në emisionin “Arnautistan” se Sali Berisha, është ndryshe nga Lulzim Basha në drejtimin e një partie dhe qeverie, pasi deklaroi se është person vendimmarrës dhe i fjalës.
“Berisha është njeri që e mban fjalën, gjë që nuk e kemi parë me Lulzim Bashën. Për sa kohë që e ka rikthyer votën, është një person që shpreh vizionin e tij. Vizioni i tij është hapja e PD. Në 2005 e hapi PD dhe jo pak ishte KOP-i, i cili ishte risi, ku riktheu të gjithë demokratët. Në fakt Sali Berisha është i vetmi që e ktheu Partinë Demokratike në pushtet.
Nëse Berisha ka ardhur me vendimin për të kandiduar, nëse merr votat e anëtarësisë, ka mision hapjen e PD. Edhe në takimin që ne bëjmë, ideja është për më shumë të rinj dhe më shumë gra. Edhe ndryshimet në statut ishin që të rritet përfaqësia e të rinjve dhe grave. Edi Rama ka tentuar që të ketë sasi grash, por kjo nuk është domosdoshmërisht cilësi. Futi katër gra ministre shteti pa portofol, se është fasada, është statistikë, por kjo nuk është përkthyer në mbështetje për grate”.
E pyetur nëse Sali Berisha mbetet “non grata”, edhe me një President të ri të SHBA, Vokshi tha se, në PD është vota e anëtarësisë që vendos dhe kjo është rikthyer me statut dhe me primare, për t’i dhënë zë anëtarësisë.
“Është vota ajo që do të vendosë për aq kohë sa 6 marsi e përcaktoi fare qartë se kjo nuk përbënte problem për ta votuar Sali Berishën. Nëse ka lobime të ndryshme në SHBA, është një çështje që zoti Berisha ka vendosur ta zgjidhë personalisht në një gjykatë ndërkombëtare. Për shkak të lobimit të Edi Ramës në qarqe të caktuara Sorosiane, për të goditur Sali Berisha dhe opozitën shqiptare, është çuar në shpalljen non grata të Sali Berishës”, u shpreh ajo.